FLASH :

Ajsbergu gjigant afrohet rrezikshëm – autoritetet paralajmërojnë banorët për evakuim të mundshëm

Pamje të jashtëzakonshme tregojnë një ajsberg gjigant që po lëviz në mënyrë të rrezikshme pranë bregut, duke iu afruar portit dhe zonës së banuar në fshatin Innaarsuit. Strukturat madhështore prej akulli tashmë ndodhen pranë fabrikës së peshkut Royal Greenland dhe dyqanit lokal ushqimor, ku autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët të tregojnë kujdes ekstrem.

Sipas njoftimit të Komunës së Avannaata-s: “Shërbimet e emergjencës këshillojnë që familjet të mos shkojnë në grup drejt dyqanit dhe personat me vështirësi në lëvizje të jenë shumë të kujdesshëm”. Banorëve u është kërkuar gjithashtu të shmangin lundrimin pranë fshatit për shkak të rrezikut nëse ajsbergu shpërbëhet.

Dennis Lehtonen, një banor i zonës, thotë se ajsbergu kishte ardhur që një javë më parë, por u rikthye të hënën dhe që atëherë nuk është zhvendosur. Si pasojë, fabrika e peshkut dhe dyqani janë mbyllur përkohësisht. “Disa janë të shqetësuar, por ka edhe nga ata që janë entuziastë si unë,” thotë ai.

Ngjarja vjen vetëm pak javë pas zbulimit të një ajsbergu të zi misterioz pranë brigjeve të Kanadasë, që ngjalli kuriozitet global për ngjyrën dhe formën e tij të pazakontë – ndoshta pasojë e mbetjeve të përziera në akull gjatë mijëvjeçarëve. Fenomenet e tilla, përveçse tërheqëse vizualisht, ngrejnë shqetësime për sigurinë dhe ndikimet klimatike që po i bëjnë gjithnjë e më të shpeshta këto rreziqe natyrore.