Një video e shpërndarë në rrjete sociale ku zv. kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe energjisë, Belinda Balluku, shihet duke kërcyer dhe festuar mes një atmosfere të çlirët për hapjen e fushatës, ka ngjallur reagime të forta. Një prej reagimeve më të ashpra ka ardhur nga kandidati për kryeministër dhe drejtuesi i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj.
Shehaj e ka cilësuar videon si një “maskaradë të pështirë”, duke e vendosur në kontekstin e një qeverie të kapur nga korrupsioni dhe arroganca e pushtetit.
“Kanë gjysmën e qeverisë në burg për korrupsion, për vjedhje të qytetarëve. Ata që janë jashtë nuk janë të ndershëm, thjesht s’iu ka ardhur ende radha,” deklaroi Shehaj.
Ai theksoi se sjellje të tilla dëshmojnë një mungesë totale të ndjeshmërisë ndaj shoqërisë, në një kohë kur shqiptarët vuajnë pasojat e padrejtësive, varfërisë dhe padrejtësisë sociale.
“Në përgjithësi, janë tre arsye pse ne mundohemi të sillemi si qytetarë të ndershëm: turpi, frika nga ligji dhe frika nga Zoti. Këta njerëz nuk kanë turp nga vetja, as nga shoqëria. Nuk kanë frikë nga ligji sepse mendojnë se e kanë shtetin në xhep. Dhe nuk kanë as frikë nga Zoti. Prandaj sillen në këtë farë mënyre,” u shpreh Shehaj në reagimin e tij.
Videoja ka ngritur pyetje serioze mbi etikën e përfaqësuesve të lartë të qeverisë, veçanërisht në një kohë kur vendi përballet me kriza të njëpasnjëshme, ndërkohë që qytetarët kërkojnë drejtësi dhe dinjitet nga ata që i qeverisin.
Klikoni më poshtë për të parë videon :