FLASH :

Agron Shehaj nga Fieri: Nuk dorëzohemi deri sa të bëhemi partia e parë në Shqipëri

Në vijim të fushatës zgjedhore, kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj, ishte dje në Fier ku zhvilloi takime me qytetarët dhe dha një mesazh të fortë politik: synimi i forcës së tij nuk është thjesht të jetë një alternativë e tretë, por të bëhet partia e parë në vend.

“Ka një keqkuptim kur thuhet se jemi partia e tretë. Ne nuk jemi këtu për të qenë të tretët dhe as për të qenë kingmaker. Ne nuk jemi si ata që e kanë sjellë Ramën në pushtet dhe më pas e kanë ndarë pushtetin me të, për t’i futur pastaj shkelmin njëri-tjetrit,” u shpreh Shehaj me tone kritike ndaj opozitës tradicionale.

Sipas tij, renditja si forcë e tretë është vetëm një hap i parë në një rrugë më të gjatë: “Qëllimi ynë është të bëhemi partia e parë. Është e vetmja rrugë. Dhe ajo që na ndan nga ky objektiv është këmbëngulja, këmbëngulja dhe puna. Nuk do të dorëzohemi.”

Shehaj duket i vendosur të shkundë sistemin politik shqiptar dhe t’u ofrojë qytetarëve një alternativë të pastër, të ndershme dhe me vizion për të ardhmen. Me një mesazh që rezonon fort në terren dhe me një angazhim të palëkundur, Mundësia po kthehet në një lëvizje shprese për mijëra shqiptarë që duan një politikë ndryshe.