FLASH :

Agron Shehaj-Flamur Nokës: Gënjeshtar prej 30 vitesh, më sulmo sa të duash, kontrasti mes nesh flet vetë!

Agron Shehaj ka reaguar pas deklaratave të Flamur Nokës në një intervistë në A2 CNN, ku ky i fundit pretendoi se Shehaj ka përfituar nga një tender. Përmes një videoje të publikuar në rrjetin e tij social Facebook, Shehaj i cilëson këto deklarata si të pavërteta dhe të qëllimshme.

“Komplet shpifje, gënjeshtër”, shprehet ai, ndërsa shton: “Mbrëmë fola me një mikun tim që është ende brenda PD-së dhe i thashë: Ore, sa i pafytyrë është ky Flamuri. Si mund të shpif në këtë mënyrë? Miku më tha: Flamuri ka 30 vjet që vetëm shpif… kështu e ka mbajtur postin në PD. Harrove çfarë i bënë Jozefina Topallit, zonjës së hekurt të PD-së?”


Shehaj nuk nguron t’i drejtojë një mesazh personal Nokës: “Vazhdo dhe gënje, vazhdo dhe më sulmo, mos e vrit mendjen fare. Je në rrugën e duhur. Kontrasti me ty është mënyra më e mirë për t’u treguar të gjithëve kush jam unë. Nuk ka njeri në Shqipëri, Flamur, që nuk e di kush jam unë dhe kush je ti.”
Në mbyllje të deklaratës së tij, ai thekson se ndërrimi i figurave në skenën politike nuk do të sjellë asnjë ndryshim. “Nëse ikën Taulant Balla dhe vjen Flamur Noka, asgjë nuk ndryshon. Ikin një mashtrues dhe vjen një mashtrues tjetër,” thotë Shehaj.

Ndërkohë, në vijim të takimeve në qytete të ndryshme, Agron Shehaj ndaloi në Kavajë, ku takoi qytetarë dhe dëgjoi shqetësimet e tyre. Një nënë, e cila punon bashkë me familjen në të zezë por ndershmërisht, ndau historinë e saj, duke ngritur një pyetje të fortë: “Si të besojmë ne? Për kë të votojmë, kur askund nuk kemi parë shpresë?”

Me një ton reflektues dhe realist, Shehaj iu përgjigj: “Me të drejtë zonja thotë pse të besojmë, na kanë gënjyer 34 vjet. Për qytetarët e thjeshtë ka pasur vetëm dy zgjedhje: ose të përpiqeshin me dinjitet këtu, ose të iknin nga vendi.”
Ai shtoi se ndryshimi është i pashmangshëm: “Këto janë zgjedhjet e fundit, ashtu siç i kemi parë deri më sot. Ata që ju shikoni sot në krye të partive të vjetra nuk do jenë më në zgjedhjet e ardhshme.”
Me një qasje të qëndrueshme dhe optimiste, Shehaj duket se po kërkon të ndërtojë një alternativë ndryshe në skenën politike shqiptare.