Një i ri 21-vjeçar, i cili ishte përjashtuar nga shkolla dhe thuhet se ishte viktimë e bullizmit, ktheu ish-shkollën e tij në një skenë masakre të martën, duke vrarë 10 nxënës në një sulm me armë.
Vetëm pak çaste para se të hapte zjarr, ai i kishte dërguar nënës së tij një video lamtumire. Hetuesit e zbuluan këtë mesazh dje, gjatë kontrollit në banesën e tij pas sulmit që ndodhi në gjimnazin BORG Dreierschützengasse në qytetin Graz të Austrisë. Policia nuk dha më shumë detaje mbi gjetjet, përveç një njoftimi të shkurtër në rrjetin social X.
Por një zyrtar i lartë, i cili pranoi se mesazhi ishte gjetur të martën në mbrëmje, tha se ai nuk u kishte lejuar të nxirrnin përfundime. Franz Ruf, drejtori i sigurisë publike në Ministrinë e Brendshme të Austrisë, i tha televizionit publik ORF se ishte gjetur edhe një “letër lamtumire”.
“Ai i përshëndet prindërit e tij. Por nuk mund të nxirret ndonjë motiv nga letra e lamtumirës, dhe kjo është çështje për hetime të mëtejshme.”
E alarmuar nga mesazhi i paqartë, nëna e tij njoftoi menjëherë policinë. Por, pavarësisht përpjekjes së saj për të ndalur tragjedinë, ishte tepër vonë — ajo e hapi videon 24 minuta pasi e mori, dhe deri atëherë, djali i saj kishte hyrë tashmë në dy klasa.
I pyetur nëse sulmuesi i kishte zgjedhur viktimat rastësisht apo i kishte shënjestruar në mënyrë specifike, Franz Ruf tha se kjo është ende në hetim dhe nuk dëshiron të spekulojë. Ai shtoi se persona të plagosur u gjetën në kate të ndryshme të shkollës dhe, në një rast, përpara ndërtesës. Një vajzë 15-vjeçare kosovare me emrin Lea është viktima e parë që është identifikuar me fotografi.
Në një postim prekës në Facebook, halla e saj shkroi: “Sot, mbesa ime Lea humbi tragjikisht jetën në sulmin në Graz. Lutemi për shpirtin e saj dhe shprehim mirënjohjen për të gjithë ata që ndajnë dhimbjen tonë në këto kohë të vështira.” Më shumë se një duzinë të tjerë u plagosën teksa të shtënat dhe britmat tronditën shkollën, kur autori i sulmit – i identifikuar nga mediat lokale si “Artur A” – hyri në klasën e tij të dikurshme duke qëlluar me një shotgun dhe një pistoletë që i zotëronte ligjërisht.
Në sulmin më të rëndë me armë në një shkollë në Austri, nxënësit e tmerruar bënin sikur ishin të vdekur, fshiheshin në korridore dhe klasa, ose vraponin për jetën.
Pamje tronditëse të filmuara tregojnë zhurmën e të shtënave të ndjekura nga britma, ndërsa autori i sulmit zgjidhte viktimat një nga një.
Ndër viktimat thuhet se ka pasur edhe nxënës dhe mësues.
