Tirana po ngrihet përpjetë, por jo përpara. Kullat shumëkatëshe po mbijnë si kërpudhat pas shiut, ndërkohë që qyteti po boshatiset nga qytetarët e tij. Në sfondin e një horizonti gjithnjë e më të betonuar, tregu i pasurive të paluajtshme ka hyrë në një fazë ngërçi të heshtur, por të dukshme. Pavarësisht fasadës së gjallë të kantierëve në çdo cep të kryeqytetit, realiteti pas tyre është i zymtë: nuk ka më blerës.
Sipas burimeve nga brenda agjencive imobiliare, një numër në rritje agjentësh kanë nisur të kërkojnë punë në sektorë të tjerë, kryesisht në shërbim klienti dhe bar–restorante në jug. Në një treg që më parë ofronte komisione të majme për çdo apartament të shitur, sot mungojnë klientët dhe mundësitë. Janë shënuar raste të shpeshta ku agjentë me përvojë tani dorëzojnë CV në call center apo si kamarierë, thjesht për të siguruar një pagë të qëndrueshme mujore.
Të dhënat zyrtare e konfirmojnë panoramën e zymtë. Për herë të parë në vitin 2025, është shënuar rënia e volumit të lejeve të ndërtimit, duke shënuar një kthesë pas një dekade boom-i ndërtimor. Sipas të dhënave te analizuara nga LajmeTroc.al në pesë muajt e parë të vitit janë regjistruar 8,433 aplikime për leje ndërtimi në sistemin e-Albania një shifër më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është një sinjal që edhe vetë industria e ndërtimit po kupton se tregu ka arritur pikën e mbingopjes.
Nëse për vite me radhë Tirana përjetoi rritje të vazhdueshme të çmimeve për metër katror, viti 2025 ka sjellë një ngrirje të këtij trendi. Pronarët hezitojnë të ulin çmimet, ndërsa blerësit kanë ndalur së kërkuari një situatë ku asnjëra palë nuk vepron, dhe pas tregut të ngopur qëndron një flluskë në rritje. Specialistët e tregut parashikojnë që rënia e çmimeve të nisë më në fund në vitin 2026, kur ofertat e pashitura dhe mungesa e blerësve do ta detyrojnë tregun të reflektojë.
Ironikisht, ndërkohë që ndërtohen kulla luksoze në qendër të qytetit dhe në periferi, gjithnjë e më shumë qytetarë të zakonshëm po detyrohen të largohen nga Tirana, të paaftë për të përballuar koston e jetesës. Tirana po shndërrohet në një qytet pa qytetarë, një qytet vitrinë, ku kullat janë më të shumta se fabrikat dhe ku shtëpitë e reja të pashitura janë më të shumta se fëmijët që lindin.
Nëse nuk frenohet kjo mani ndërtimi pa frymëzim urban dhe pa analizë tregu, Tirana rrezikon të mbetet një qytet fantazmë luksoz, ku banesat bosh janë më të shumta se shpresat për një të ardhme të banueshme. Apo më keq akoma, një qytet që humb jo vetëm blerësit, por edhe banorët e vet.