Adriatik Lapaj nuk tërhiqet nga beteja për të marrë mandatin e deputetit në shtator, duke dorëzuar një ankesë zyrtare pranë Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) kundër vendimit të KQZ-së, që ia dha mandatin kushërirës së tij, Kleana Xhuveli. Në kërkesën e depozituar, Lapaj këmbëngul se, si më i votuari i listës së hapur të “Nisma Shqipëria Bëhet”, ai duhet të jetë ligjvënësi.
Ai argumenton se 12 kandidatët e listës së mbyllur kishin dhënë dorëheqje me shkrim më 11 maj dhe se KQZ duhej të njihte këtë akt, duke i hapur rrugë kalimit të mandatit tek ai. Lapaj kërkon gjithashtu që KAS të mos njohë revokimin e dorëheqjes nga Kleana Xhuveli dhe Zeqir Kordhoni. Sipas tij, heshtja e KQZ ka krijuar pasiguri ligjore dhe një precedent të rrezikshëm për sistemin zgjedhor. Për më tepër, ai kërkon që KAS të unifikojë praktikat, duke sjellë në vëmendje rastin e Tom Doshit në vitin 2021.
