FLASH :

Adriatik Alimadhi kundërshton me dhunë efektivët gjatë kontrollit për lojëra fati në një lokal në Tiranë, aleati i Berishës në hetim (VIDEO)

Aleati i Sali Berishës, Adriatik Alimadhi është vënë në hetim pasi ka kundërshtuar me dhunë efektivët gjatë një operacioni për kontrollin e lojërave të fatit në një lokal në Tiranë. Alimadhi është shoqëruar dhe më pas u la në hetim në gjendje të lirë. PD pretendon se u dhunua, AMP nis verifikimet.  

TIRANË– Kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, është shoqëruar mbrëmjen e djeshme nga Policia e Tiranës, pasi ka kundërshtuar efektivët gjatë një kontrolli për ushtrimin e lojërave të fatit në një lokal në rrugën e Dibrës. Në një video të ndarë nga eksponentë të PD, dallohet edhe momenti i shoqërimit të Alimadhit, i cili është edhe aleati i Berishës në zgjedhjet e 11 majit.

Policia sqaron se në momentin kur do ushtronin kontroll, Alimadhi ka kundërshtuar verbalisht dhe fizikisht efektivët dhe ka tentuar të largohet nga ambienti, pavarësisht urdhrit për të qëndruar në vendin ku ndodhej, deri në përfundim të procedurës. Alimadhi është vënë në hetim në gjendje të lirë për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik” dhe AMP ka nisur verifikimet pas pamjeve që janë ndarë në rrjet, ku eksponentët e PD pretendojnë se Alimadhi u dhunua.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe nisën procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 61 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”

Ky shtetas dyshohet se, gjatë një kontrolli të ushtruar nga shërbimet e Policisë në një lokal në rrugën e “Dibrës”, me qëllim verifikimin e informacionit se në këtë ambient ushtrohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit dhe basteve sportive, ka refuzuar të zbatojë urdhrat e punonjësve të Policisë, duke i kundërshtuar verbalisht dhe fizikisht dhe ka tentuar të largohet nga ambienti, pavarësisht kërkesës për të qëndruar në vendin ku ndodhej, deri në përfundim të procedurës.

Në lidhje me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë ka nisur veprimet verifikuese, bazuar në pamjet filmike të publikuara në rrjete sociale dhe pretendimet e paraqitura nga shtetasi në fjalë”, njofton policia e Tiranës.