Bella Culley, një 18-vjeçare britanike e dyshuar si transportuese droge, ka deklaruar mes lotësh në gjykatë se u detyrua “nën torturë” të trafikonte lëndë narkotike nga Tailanda në Gjeorgji, ndërsa pretendoi se ka një plagë që dëshmon se është detyruar me dhunë të përfshihej në trafikim. Ajo shtoi se nuk ka as dijeni në çfarë vendi ndodhet.

Gjatë një seance 30-minutëshe në Gjykatën e Qytetit të Tbilisit, ajo tha: “Nuk doja ta bëja këtë. U detyrova nën torturë. Doja vetëm të udhëtoja, të jetoja me familjen time. Jam njeri dashamirës dhe po studioj për infermierë. Jam e pastër nga droga, siç tregon analiza e gjakut. Gjithmonë kam dashur ta bëj familjen time krenare.”
E veshur me një bluzë rozë dhe flokët e kapura topuz, Bella u paraqit në gjykatë e tronditur. Në sallë ishin i ati Niel Culley, 49 vjeç, tezja Kerrie Culley, 51 vjeç, dhe gjyshi i saj, ndërsa nëna mori pjesë nëpërmjet video-lidhjes. Familja ofroi 13,500 paund për ta liruar me kusht, por kërkesa u refuzua.

Culley akuzohet për blerjen e 446 gramëve tetrafenol-kanabinol dhe 11.2 kilogramëve kanabis jashtë shtetit dhe për futjen e tyre në Gjeorgji më 10 maj. Prokurori David Mestvirishvili tha se ajo përballet me një dënim nga 8 deri në 20 vjet për akuzën e parë, dhe 15 deri në 20 vjet për të dytën. Një akuzë e tretë parashikon deri në 6 vjet burg.

Gjykatësja Lela Kalichenko i mohoi lirinë me kusht duke pranuar argumentin e prokurorisë se Culley përbën rrezik arratisjeje dhe mund të kryejë sërish vepra të ngjashme.
Avokati i saj, Malkhaz Alakaia, tha se ajo kishte vetëm 70 paund kur shkoi në Tajlandë dhe tani është shtatzënë me një britanik tjetër, duke përshkruar fëmijën si një “fryt dashurie”. Ai shtoi se Culley është përpjekur t’u tregojë policëve një plagë të gjatë në krah që provon se ishte detyruar, dhe se nuk kishte asnjë kontroll mbi bagazhin ku u gjet droga. Ajo ishte vetëm e pajisur me një pasaportë dhe një fotografi, dhe i ishte thënë ku të shkonte. Sipas tij, Bella nuk e dinte as se Tbilisi ishte qytet, jo shtet.

Ajo deklaroi pafajësinë në gjykatë dhe gjyqi u caktua për 10 korrik. Adoleshentja u arrestua në aeroportin e Tbilisit në maj, në një operacion të dyshuar policor, ku iu gjetën kanabis dhe hashash me vlerë rreth 200 mijë paund në valixhen e madhe. Ndërkohë, çanta e saj e dorës përmbante vetëm rroba.

Para arrestimit, Culley ishte shpallur e zhdukur ndërsa besohej se ndodhej me pushime në Tajlandë. Ajo pretendoi në gjykatë se është shtatzënë dhe se ndodhet në gjendje të rënduar emocionale, e frikësuar dhe e tronditur nga mundësia për të kaluar pjesën tjetër të jetës pas hekurave.
Aktualisht ajo po mbahet në burgun famëkeq për femra “Kolonia Nr. 5” në periferi të Tbilisit dhe përballet me një dënim deri në 20 vjet burg.