FLASH :

Adoleshentët që humbën jetën në lule të rinisë nga aksidenti i tmerrshëm me motor në Vlorë

Një qiri i ndezur dhe një tufë me lule u vendosën si shenjë ngushëllimi në vendin ku humbën jetën dy të rinj në Vlorë, në një aksident tragjik që ka tronditur qytetin. Miq, familjarë, shokë klase dhe të afërm janë mbledhur për të nderuar kujtimin e Luan Llanajt, 19 vjeç, dhe Tomor Mbratit, 17 vjeç, të cilët humbën jetën një ditë më parë në zonën e Pusit të Mezinit.

Dy adoleshentët po udhëtonin me motor me shpejtësi të lartë kur humbën kontrollin dhe u përplasën me një shtyllë. Luani humbi jetën në vend, ndërsa Tomori ndërroi jetë gjatë rrugës për në Spitalin e Traumës në Tiranë, pavarësisht përpjekjeve për t’i dhënë ndihmë mjekësore të specializuar.

Qytetarët e Vlorës e kanë përjetuar me dhimbje këtë ngjarje, duke e cilësuar aksidentin si një tragjedi të rëndë që solli dy jetë të humbura shumë herët. Në vendngjarje vazhdojnë të shkojnë të rinj të shumtë për të lënë një lule apo për të ndezur një qiri, në një akt solidariteti dhe dhimbjeje që ka bashkuar gjithë komunitetin.