Adelina Ismaili është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një interviste në “Radio Dukagjini”, ku u shmang me të qeshura pyetjes mbi marrëdhënien e saj me këngëtaren Leonora Jakupi. Dy artistet kanë pasur një konflikt të bujshëm fizik para 17 vitesh, i cili përfundoi në gjykatë dhe vijon të lërë gjurmë në marrëdhënien e tyre.
Në intervistë, Adelina zbuloi për herë të parë se përplasja e dikurshme nisi pasi Leonora, sipas saj, e kishte kapur prej fyti nënën e saj në prapaskenat e një koncerti. “Nuk e urrej Leonorën, por çfarë ka ndodhur, ka ndodhur gjithmonë prej palës tjetër,” tha Ismaili, duke theksuar se nuk e konsideron rivale.
Pak ditë më parë, një postim në Instagram nga Adelina me mbishkrimin “Fshesë, fshesë dadës” u komentua si një thumb për largimin e vëllait të Leonorës nga një pozicion publik. Reagimet e ndjekësve e kanë irrituar Adelinën, e cila është përgjigjur ashpër:
“Fshesa është për pastrimin e mbeturinave. Turp që krahasoni një diplomat me një mbeturinë. Tregoni pak nivel.”
Ndërkohë, Leonora Jakupi, pa përmendur direkt emra, është kundërpërgjigjur me një video nga koncerti i saj në Drenicë, ku dominonte fjala “DIVA” në ekran.
Sherret mes dy divave të muzikës shqiptare duket se janë larg shuarjes, ndërsa tani përfshijnë edhe anëtarë të familjeve të tyre, duke e rikthyer një rivalitet të vjetër.














