FLASH :

“A po na mbyt klima? Astma, kolla dhe alergjitë në rritje nga ndryshimet klimatike”

Një studim i ri nga Johns Hopkins Medicine ngre alarmin: ndryshimet klimatike po përkeqësojnë ndjeshëm shëndetin e rrugëve të frymëmarrjes, duke ndikuar në rritjen e rasteve me astmë, rinit alergjik dhe kollë kronike.

Studimi, i botuar në revistën shkencore Communications Earth & Environment, vë në dukje se ajri i thatë – pasojë direkte e ndryshimeve klimatike – shkakton dehidratim të mukozave të frymëmarrjes, duke nxitur inflamacion dhe reagime të forta të sistemit imunitar.

Çfarë është Deficiti i Presionit të Avullit (VPD)?

Shkencëtarët kanë analizuar një indikator të quajtur VPD (Vapor Pressure Deficit), i cili tregon etjen e ajrit për ujë. Sa më i lartë të jetë ky indikator, aq më shumë ajri thith lagështinë nga mjedisi dhe trupi i njeriut, duke përfshirë edhe rrugët e frymëmarrjes. Dhe pikërisht ky proces është lidhur me inflamacion të shtuar dhe përkeqësim të sëmundjeve respiratore.

Sipas David Edwards, një nga autorët e studimit, “Menaxhimi i hidratimit të rrugëve të frymëmarrjes është thelbësor për mirëqenien tonë shëndetësore.

Dëmet nuk ndalen vetëm në mushkëri

Eksperimentet laboratorike treguan se qelizat e ekspozuara ndaj ajrit të thatë prodhojnë më pak mukus dhe më shumë citokina, tregues të inflamacionit të brendshëm. Kjo do të thotë se edhe një ekspozim i përditshëm ndaj ajrit të thatë, për shembull nga kondicionerët, mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin tonë.

Në teste me kafshë, minjtë e ekspozuar ndaj ajrit të thatë shfaqën një reagim të fortë imunitar në mushkëri, duke rritur më tej dyshimet për ndikimin e klimës në sëmundjet respiratore.

Përveç mushkërive, syri është një tjetër organ i ndjeshëm, ku thatësia shkakton probleme të shumta, duke përfshirë edhe sëmundje të mukozave okulare.

Klima nuk është më vetëm çështje ambientale

Ky studim shton edhe një dimension të ri: ndryshimet klimatike janë një krizë edhe për shëndetin publik. Ndërsa temperaturat rriten dhe lagështia relative nuk e kompenson humbjen e ujit, rrugët tona të frymëmarrjes janë në rrezik të përhershëm.