Paracetamoli dhe ibuprofeni janë ndër medikamentet më të përdorura për lehtësimin e dhimbjes, temperaturës dhe inflamacionit. Përdorimi i tyre është i përhapur për sëmundje si migrena, artriti, gripi apo infeksionet e zakonshme. Por a mund të përdoren së bashku dhe cilat janë rreziqet që i shoqërojnë?
Si veprojnë këto dy ilaçe?
Paracetamoli ndikon direkt në tru duke ulur intensitetin e sinjaleve të dhimbjes dhe temperaturës. Ai vepron lokalisht në zonën e dhimbjes, pa ndikuar drejtpërdrejt në inflamacionin e përgjithshëm të trupit.
Ndërkohë, ibuprofeni është një anti-inflamator jo-steroidal (NSAID) që ndalon prodhimin e hormoneve të cilat shkaktojnë dhimbje, temperaturë dhe inflamacion në organizëm. Ky ilaç shënjestron çdo gjurmë të inflamacionit në trup dhe shpesh përdoret për probleme më të rënda ose kronike.
A mund të përdoren bashkë?
Sipas ekspertëve të AgroWeb.org, personat mbi 16 vjeç mund të marrin njëkohësisht paracetamol dhe ibuprofen për të ulur temperaturën dhe dhimbjen – për sa kohë nuk tejkalohen dozat ditore të rekomanduara.
- Paracetamol: 1 ose 2 tableta 500 mg çdo 4–6 orë, por jo më shumë se 8 tableta në 24 orë. Mbidoza mund të shkaktojë dëmtime serioze në mëlçi.
- Ibuprofen: 1 ose 2 tableta 200 mg çdo 4–6 orë, por jo më shumë se 6 tableta në ditë. Mbidoza rrit rrezikun për atak në zemër dhe probleme me tretjen apo veshkat.
Ibuprofeni rekomandohet të merret gjatë ose pas vakteve për të shmangur efektet anësore si të vjella, të përziera apo konstipacion.
Kujdes me barnat e kombinuara
Duhet treguar kujdes me produktet kundër gripit që përmbajnë paracetamol, sepse kombinimi i tyre me doza shtesë të ilaçit mund të çojë në mbidozë të paqëllimshme.
Po fëmijët?
Për fëmijët nën 16 vjeç, mjekët nuk rekomandojnë përdorimin njëkohësisht të të dy barnave. Në raste të nevojshme, ato mund të alternohen, por vetëm nëse gjendja nuk përmirësohet pas dozës së parë.
Temperatura te fëmijët nuk duhet trajtuar menjëherë, pasi është një mekanizëm natyror i trupit për të luftuar infeksionin. Ilaçet duhet të përdoren vetëm kur temperatura kalon 38°C.
Efektet anësore te fëmijët
- Paracetamoli është lidhur me një rrezik më të lartë për shfaqjen e astmës.
- Ibuprofeni mund të shkaktojë ulçerë në stomak dhe dëmtime në veshka në përdorim të zgjatur ose të gabuar.
Për këtë arsye, këshillohet që trajtimi i dhimbjes apo temperaturës te fëmijët të bëhet gjithmonë në konsultim me mjekun.
Përfundim: Paracetamoli dhe ibuprofeni mund të kombinohen tek të rriturit për sa kohë nuk tejkalohen dozat ditore të rekomanduara. Tek fëmijët, përdorimi duhet të jetë i kujdesshëm dhe gjithmonë nën mbikëqyrje mjekësore.