Ndryshimet klimatike, krizat mjedisore dhe degradimi i burimeve natyrore po thellohen me ritme alarmante, ndërsa njerëzimi vazhdon të konsumojë dhe ndotë përtej kapaciteteve të planetit. Një raport i ri i Institutit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Sigurinë Njerëzore (UNU-EHS), i titulluar “Kthimi mbi një gjethe të re”, ngre një alarm të qartë: ndodhemi përballë një humnere ekologjike dhe, ndonëse rrugëdalja ekziston, ne po ecim me shpejtësi drejt katastrofës. Sipas raportit, përpjekjet aktuale janë të përqendruara kryesisht te trajtimi i simptomave – si riciklimi apo pastrimi i mbeturinave – por nuk adresojnë shkaktarët e vërtetë, që lidhen me strukturat shoqërore, ekonomike dhe mënyrën si e kuptojmë natyrën.
Raporti prezanton konceptin e “ndryshimit të thellë”, një teori që zhbiron rrënjët e krizës: mendësia e dominimit të njeriut mbi natyrën. Kjo logjikë, e mishëruar në ligje, ekonomi, kulturë e madje edhe religjion, ka prodhuar struktura shkatërruese: monokultura bujqësore, kontroll i dhunshëm mbi lumenjtë, përdorim masiv të pesticideve, dhe një ekonomi të bazuar në konsum të përhershëm. Sipas shkencëtares Caitlin Eberle, nevojitet një kthesë radikale në mendësi – nga ideja se njerëzit janë sundimtarë të planetit, në pranimin se janë pjesë e tij, një prej shumë specieve brenda një ekosistemi kompleks.
Për të arritur këtë transformim, studiuesit propozojnë një ndryshim të dyfishtë: të brendshëm dhe të jashtëm. Nga njëra anë kërkohet rishikimi i vlerave dhe besimeve personale, nga ana tjetër – reforma ligjore, tatimore dhe politike që e mbështesin këtë mentalitet të ri. Shembuj si ndryshimi i qëndrimeve ndaj pirjes së duhanit tregojnë se shoqëritë janë të afta të ndryshojnë rrënjësisht kur përballen me fakte, edukim dhe politika të qarta.
Në fund, raporti përmend pesë fusha ku duhet të përqendrohet ndërgjegjësimi: të trajtohen mbetjet si burime, të kuptohet se njerëzimi nuk është i ndarë nga natyra, të pranohet përgjegjësia e përbashkët globale, të mendohet në plan afatgjatë dhe të rishqyrtohet çfarë ka vërtetë vlerë – pasuria ekonomike apo shëndeti i planetit. Ndryshimi ka nisur, por do të përballet me rezistencë, frikë dhe pengesa strukturore. Megjithatë, pikërisht këto tensione tregojnë se një transformim i thellë tashmë ka hyrë në rrugë. Dhe shpresa qëndron te forca e mendjes për të krijuar një botë tjetër.