Ngjitësi i përdorur për të bashkuar nëndetësen fatkeqe Titan nuk ishte kurrë i certifikuar për përdorim në ujë të thellë, zbulon një investigim i ri.
Kompania gjermane Henkel, e cila prodhoi rrëshirën në fjalë, deklaroi se produkti ishte projektuar për industrinë ajrore dhe nuk ishte certifikuar për përdorim nën ujë. Zëdhënësi i saj sqaroi: “Është përgjegjësi e përdoruesit përfundimtar të testojë projektin për të garantuar performancën.”

Punonjës brenda Henkel nuk kishin dijeni që ngjitësi i tyre ishte përdorur në Titan, derisa u kontaktuan nga MailOnline. Ata konfirmuan se nuk ishte i përshtatshëm për përdorim nën ujë.
Tani shtrohen pyetje nëse zgjedhja e këtij ngjitësi kontribuoi në implodimin katastrofik të nëndetëses 6.7 metra të gjatë më 18 qershor 2023, duke vrarë menjëherë të pesë pasagjerët, teksa ndodheshin 3,800 metra poshtë Oqeanit Atlantik dhe vetëm minuta larg rrënojave të Titanikut.

Eksperti Dr. Christian Stone nga Universiteti i Loughborough-it, i specializuar në korrozion, tha se ai kurrë nuk do t’i kishte rekomanduar OceanGate përdorimin e rrëshirës Loctite EA 9394 Aero për të bashkuar trupin prej fibrash karboni me pjesët prej titani. Ngjitësi përmbante 30-40% alumin pluhur dhe, sipas tij, e kthente nëndetësen në një “bateri gjigante”.
Dr. Stone paralajmëroi se në ujë të kripur, procesi elektrokimik i korrozionit galvanik mund të dëmtojë strukturën, duke krijuar boshllëqe që dobësojnë rezistencën ndaj presionit të madh. Ai përmendi se edhe pastrimi i përsëritur i izoluesit me mjete vibruese mund të ketë përkeqësuar situatën.
Një ditë para tragjedisë, në ditarin e mirëmbajtjes së Titanit ishte shënuar një problem me izoluesin midis titanit dhe fibrave të karbonit. Ekuipazhi kishte “gërryer shëmtitë” për të krijuar një sipërfaqe më të lëmuar, çka mund të ketë dëmtuar më tej lidhjet.

Dr. Stone rekomandoi që OceanGate të kishte përdorur materiale jo-përçuese dhe të kishin kryer testime të avancuara ndaj korrozionit dhe stresit. Ai shtoi se pjesët e ekspozuara duhej të ishin anodizuar ose të ishin mbuluar me shtresa mbrojtëse për të shmangur formimin e reaksioneve elektrike.

Në një video promovuese të mëparshme, CEO i OceanGate, Stockton Rush – i cili humbi jetën në shpërthim – tregonte se si ngjitësi aplikohej me spatula plastike dhe e përshkruante si “gjalpë kikiriku”.

Hetimi i Rojës Bregdetare të SHBA-së mbi aksidentin pritet të përfundojë brenda vitit. Gjetjet paraprake të Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB) treguan se shumica e ngjitësit që lidhte pjesët prej karboni me titanin ishte shkëputur. Vetëm një fragment prej rreth 9 cm kishte mbetje të ngjitësit.
Hetuesit besojnë se dështimi ndodhi në pjesën e përparme të nëndetëses. Pjesa e pasme dhe përbërës të tjerë u gjetën të grumbulluar në një masë të përzier, ndërsa kupola e përparme u gjet e veçuar. Forca e shpërthimit ishte aq e madhe sa deformoi unazën prej titani dhe shkëputi vida të forta të strukturës.
Pas tragjedisë, OceanGate pezulloi të gjitha operacionet e saj eksploruese dhe tregtare.