FLASH :

A e rrëzoi qëllimisht piloti i Air India avionin që vrau 260 persona?

Hetimet për rrëzimin tragjik të avionit të Air India po thellohen, pasi autoritetet indiane kanë nisur të shqyrtojnë të dhënat mjekësore të pilotëve, për shkak të dyshimeve se njëri prej tyre mund të ketë vuajtur nga depresioni dhe probleme të shëndetit mendor.

Kapiteni Sumeet Sabharwal, me mbi 8,200 orë fluturimi, ishte në komandë të avionit Boeing 787 Dreamliner që më 12 qershor u rrëzua në zonën e banuar Meghani Nagar, duke shkaktuar vdekjen e 260 personave – 241 në bord dhe 19 në tokë. Pak sekonda pas ngritjes, dy çelësa karburanti në kabinë u fikën, duke çuar në një humbje të menjëhershme të energjisë. Çelësat nuk mund të fiken aksidentalisht, çka ngre pikëpyetje nëse veprimi ishte i qëllimshëm.

Ekspertët dhe ish-kolegët e pilotit hedhin dyshime mbi gjendjen e tij mendore dhe e përshkruajnë si njeri të tërhequr që kishte marrë leje mjekësore në vitet e fundit dhe planifikonte pension të parakohshëm. Megjithatë, burime nga grupi Tata, që zotëron Air India, mohojnë që Sabharwal të ketë pasur probleme mjekësore aktive, duke theksuar se ai dhe bashkëpiloti Clive Kunder kishin kaluar testet e aftësisë psiko-fizike brenda dy viteve të fundit.