FLASH :

Diddy dhe i biri Justin Combs të akuzuar për përdhunim të dhunshëm në grup në një padi të re – procesi gjyqësor hyn në fazën përfundimtare

Një grua nga Luiziana ka ngritur një padi tronditëse ndaj reperit Sean “Diddy” Combs dhe djalit të tij, Justin Combs, duke i akuzuar për një përdhunim të dhunshëm në grup. Sipas dokumenteve të siguruara nga Page Six, gruaja, e identifikuar si “Jane Doe”, pretendon se Justin e mashtroi për ta sjellë në Kaliforni me premtimin e një karriere në industrinë e argëtimit dhe më pas e drogoi përpara se tre burra të maskuar, përfshirë sipas saj edhe Diddyn, ta përdhunonin për orë të tëra.

Ajo thotë se e njohu Diddyn përmes mënyrës së të sjellurit dhe se Justin e quajti “Pops”. Sipas saj, incidenti ndodhi në vitin 2017 dhe e la me trauma fizike dhe emocionale të rënda. Avokati i Diddyt mohoi çdo akuzë, duke e quajtur rastin një përpjekje për përfitim financiar dhe theksoi se klienti i tij “nuk ka trafikuar apo përdhunuar askënd”.

Ndërkohë, procesi penal ndaj Diddyt është në javën e shtatë dhe avokati i tij, Marc Agnifilo, e cilësoi si “gjyq të rremë”, duke ironizuar provat e paraqitura nga prokuroria si shfrytëzim i jetës seksuale private të klientit të tij. Ai pranoi se Diddy ka pasur sjellje të dhunshme, por mohoi çdo konspiracion kriminal, duke thënë se prokuroria ka përzier jetën intime të Combs me akuza për trafikim dhe rrjet kriminal pa prova të drejtpërdrejta. Nëse shpallet fajtor, Diddy rrezikon deri në burgim të përjetshëm. Vendimi i jurisë pritet të fillojë të hënën.