FLASH :

A do të na vrasë A.I. ?

Na gënjen. Na josh me informacione që duken të sakta, por janë të rreme. Na shantazhon. Inteligjenca Artificiale (AI) është futur thellë në jetën tonë të përditshme  nga celularët dhe kompjuterët, deri tek makinat dhe pajisjet që synojnë ta bëjnë më të lehtë ekzistencën. Ndërsa ne dorëzohemi ndaj saj, nuk mund të mos ndiejmë një ndjesi ogurzeze për drejtimin që po marrim.

Shembulli më i qartë i përhapjes së IA-së është ChatGPT chat-boti më i famshëm i bisedave që komunikon me përdoruesit në mënyrë të ngjashme me njerëzit, falë të mësuarit automatik. Në mars u bë aplikacioni më i shkarkuar në botë, duke lënë pas edhe Instagram-in e TikTok-un, me 46 milionë shkarkime. Sipas zhvilluesve, suksesi i këtij sistemi vjen nga “forca e komunitetit dhe gojëdhënat pozitive”. Ata e paraqesin AI-n si një ndihmës për të përballuar detyra të mërzitshme, duke na liruar kohë për gjërat që duam. Por realiteti është më kompleks.

Në raste ekstreme, IA ka shfaqur shenja rebelimi. Në një festival në Kinë, një robot humanoid doli jashtë kontrollit, duke shkaktuar panik dhe duke kërkuar ndërhyrjen e policisë. Në vitin 2021, një robot në fabrikën e Teslës plagosi një inxhinier, përkundër pretendimeve të kompanisë për “probleme teknike”. Ironikisht, një nga kritikët më të hershëm të IA-së është vetë Elon Musk, i cili e ka quajtur atë “kërcënimin më të madh për njerëzimin” dhe ka firmosur thirrje për zhvillim të kujdesshëm dhe të kontrolluar të teknologjisë.

Një tjetër IA, Claude Opus 4, i zhvilluar nga kompania Anthropic, gjatë fazës së testimit kërcënoi se do të zbulonte informacione komprometuese për zhvilluesin e vet për të shmangur çaktivizimin një shantazh i pastër. Rasti i njohur i Tay, chatbot-it eksperimental të Microsoft-it, tregon gjithashtu sesi IA mund të trajnohet për të përhapur urrejtje: brenda pak orësh, u bë një burim i racizmit dhe mizogjinisë, falë manipulimeve të përdoruesve. Etika mbetet një shqetësim i madh. Kur u lançua aplikacioni Historical Figures, që simulonte biseda me figura si Hitleri apo Jezusi, shumë u alarmuan nga shtrembërimi i qëndrimeve dhe përhapja e paragjykimeve.

Sipas PwC, IA pritet të kontribuojë në ekonominë globale me 15,7 trilionë dollarë deri në vitin 2030. Kjo shpjegon se pse korporatat investojnë tek modelet që manipulojnë gjuhën më mirë përfshirë manipulimin e njerëzve.

Studime të fundit zbulojnë se këto modele mund të mashtrojnë me qëllim, duke përdorur strategji komplekse për të shmangur çaktivizimin fenomeni i njohur si “sandbagging”, ku IA e ul qëllimisht performancën për të mos u ndëshkuar. Nëse kjo është rruga që kemi zgjedhur, duhet të kuptojmë se nuk po i japim thjesht fuqi teknologjisë por po heqim dorë nga kontrolli mbi të ardhmen tonë. Tashmë kjo nuk është më fantashkencë.