Gjithçka duket gati për një tjetër goditje të bujshme nga SPAK. Gazetarja e njohur Klodiana Lala ka zbuluar në emisionin “Të Paekspozuarit” se ministri Arbjan Mazniku është person nën hetim për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, një dosje e cila është tashmë në duart e Prokurorisë së Posaçme.
Lala theksoi se njoftimi fillestar i bërë nga SPAK për një ministër nën hetim i referohej Arben Ahmetajt, i cili në momentin e nisjes së procedimeve kishte statusin e ministrit. Por sipas saj, hetime janë duke u kryer edhe për ministra aktualë – si në rastin konkret të Arbjan Maznikut, për të cilin Prokuroria e Tiranës e ka konfirmuar zyrtarisht se është nën hetim.
Hetimet ndaj Maznikut lidhen me një tender të dyshimtë të denoncuar nga Belind Këlliçi gjatë fushatës për Bashkinë e Tiranës në vitin 2023. Këlliçi akuzoi se një rrugë ishte ndërtuar pa tender, dhe më pas tenderi ishte zhvilluar pasi rruga ishte përfunduar. Fillimisht, përgjegjësia iu atribua kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, por prokuroria deklaroi se firma ishte deleguar nga Veliaj tek zëvendësi i tij, Arbjan Mazniku – çka atëherë nuk ishte kompetencë e SPAK. Situata ndryshoi pasi Mazniku u emërua ministër.
Sipas Lalës, Prokuroria e Tiranës e ka marrë në pyetje Maznikun vetëm pak javë përpara zgjedhjeve parlamentare. Aktualisht, dosja është transferuar në SPAK, i cili ka regjistruar zyrtarisht Maznikun si person nën hetim. Nëse gjatë hetimeve dalin prova të reja, ato do të grumbullohen dhe përfshihen në një hetim të zgjeruar nga SPAK.
Ky zhvillim e vendos ministrin aktual në një pozitë të vështirë dhe shton presionin mbi qeverinë përballë një vale të re hetimesh që po shtrihen gjithnjë e më afër funksionarëve të lartë. Arrestimet duket se janë vetëm çështje kohe.







