FLASH :

Të hash mëngjesin vonë, sa i shëndetshëm është ky zakon gjithnjë e më i përhapur?

Ndryshe nga këshillat klasike që e vendosin mëngjesin si “vaktin më të rëndësishëm të ditës”, një numër në rritje njerëzish po zgjedhin ta konsumojnë atë më vonë, shpesh pas orës 10:00 të mëngjesit. Por a është kjo e shëndetshme?

Sipas disa studimeve të fundit në fushën e nutricionit, koha kur konsumohet mëngjesi mund të ndikojë në metabolizmin dhe nivelet e energjisë gjatë ditës. Ekspertët thonë se për disa persona, sidomos ata që ndjekin një stil jete me orare fleksibël apo që ndjekin praktika si agjërimi ndërprerës (intermittent fasting), konsumimi i mëngjesit më vonë mund të sjellë përfitime, si përmirësim të tretjes, kontroll të urisë dhe madje edhe humbje në peshë.

Megjithatë, nuk ka një përgjigje universale. Për ata që zgjohen herët dhe kanë një ditë të ngarkuar, shtyrja e mëngjesit mund të çojë në mungesë energjie, ulje të përqendrimit dhe ngrënie të tepërt më vonë.

Nutricionistët rekomandojnë që mëngjesi, pavarësisht orarit, të jetë i pasur me proteina, fibra dhe yndyrna të shëndetshme, duke shmangur sheqernat e tepërta. Çelësi është dëgjimi i trupit dhe përshtatja e orarit të vakteve me stilin e jetës.

Pra, të hash mëngjesin vonë nuk është domosdoshmërisht e keqe, për shumëkënd, është thjesht një mënyrë tjetër për të jetuar në ekuilibër.