FLASH :

Të huajt kanë blerë 1.3 miliardë euro prona që nga viti 2021

Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se në tre muajt e parë të këtij viti, fluksi i Investimeve të Huaja Direkte sipas aktivitetit të pasurive të paluajtshme arriti në 104 milionë euro, me një rritje prej 24% në krahasim me të njëjtën periudhë më parë.

Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë bënë të ditur se në tre muajt e parë të këtij viti, fluksi i Investimeve të Huaja Direkte sipas aktivitetit të pasurive të paluajtshme arriti në 104 milionë euro, me një rritje prej 24% në krahasim me të njëjtën periudhë më parë.

Të dhënat historike tregojnë se ky është niveli i dytë më i lartë i investimeve në një tremujor, pas tetor-dhjetor 2024, kur treguesi arriti në 110 milionë euro.

Vitet e fundit Shqipëria është bërë një treg interesant për blerjen e pasurive të paluajtshme nga të huajt, sidomos në bregdet, ku çmimet ishin të lira në krahasim me vendet e tjera të rajonit si Kroacia, apo Mali i Zi.

Në vitin 2024, të huajt blenë prona me vlerë rreth 380 milionë euro. Që nga viti 2021, kur filloi interesi i huajve, kryesisht në bregdetin shqiptar, deri në mars 2025, të huajt kanë blerë rreth 1.3 miliardë euro prona në vend, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, që i llogarit këto flukse si investime të huaja direkte në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Rëndësia e investimeve në pasuri të paluajtshme në raport me totalin e investimeve në vend është rritur ndjeshëm. Në vitin2014, blerjet e pronave nga të huajt zinin vetëm 5.7% të investimeve të huaja, ndërsa në 2024-n, kjo peshë u rrit në 24%.

Rekordi u shënua në tremujorin e parë të këtij viti, ku blerjet e shtëpive nga të huajt zunë gati 29% të totalit të fluksit të investimeve të huaja në vend.

Në vend të dytë ishin Aktivitete financiare dhe të sigurimit, me 75 milionë euro, pothuajse njësoj me një vit më parë, duke zënë 20.7% të totalit.

Edhe këto janë kryesisht investime në rritjen e kapitalit të bankave për shkak të kërkesave rregullatorë të Bankës së Shqipërisë pa efekt direkt në ekonomi.

Industria nxjerrëse tërhoqi 51 milionë euro në tremujorin e parë, pothuajse njësoj sa një vit më parë.

Në industrinë përpunuese, investimet zbritën në 32 milionë euro, me tkurrje 24% me bazë vjetore.

Investimet në Tregtia me shumicë dhe me pakicë u rritën me 28% në 32 mln euro.

Energjia elektrike, gazi, dhe furnizimi me ujë, që dikur ishte kontribuuesi kryesor i investimeve të huaja për shkak të investimeve në energji dhe gazsjellësin TAP solli vetëm 27 milionë euro investime, ose 7.5% të totalit.

Në total, investimet e huaja direkte në tremujorin e parë të vitit ishin 362 milionë euro, me rritje të lehtë prej 2.3% me bazë vjetore.