Në fundprillin e këtij viti, në një atentat mafioz, vritet në Vlorë Renato Hoxhaj, roja i një objekti .
Një emër krejtësisht i panjohur dhe madje i paskeduar asnjëherë më parë nga policia lokale, ndërkohë që viktima sapo kishte dalë nga shtëpia në orët e para të ditës së 27 prillit.
Grupi hetimor fillimisht e konsideroi ngjarjen të lehtë pasi nisi hetimet për ndonjë konflikt banal, por sa më shumë hetohej në lidhje me të, aq më shumë ndërlikohej krimi. Një kamera amatore kishte fiksuar atentatorin, i cili dukej që jo vetëm ishte tërësisht i maskuar po madje edhe me formë trupore të stërmadhe. Por ishin serish kamerat e sigurisë nëpër qytetin e Vlorës që arritën të fiksojnë një automjet të dyshimtë.
Ndjekja e tij çoi në zbulimin e personit që e kishte atë mjet, i cili dëshmoi se makinën ia kishte dhënë një të njohurit të vet dhe se nuk ishte në dijeni se ku kishte përfunduar. Po ndërsa policia dhe prokuroria gjurmonin ato pak prova, policia siguroi dëshmitë e para në lidhje me përditshmërinë e viktimës.
Bashkëjetuesja e tij tregoi se viktimës kishte kohë që i kërkohej shtëpia ta jepte te një firmë ndërtimi po ai refuzonte. Hetimet çuan dyshimet se porosia duhet të kishte ardhur nga Dubai, por ende nuk bëhet lidhja faktike e atij ekzekutimi me personat që strehohen atje.
Arrestimi
Tre muaj pas vrasjes së rojës Renato Hoxhaj në qytetin bregdetar të Vlorës, Policia ka arritur të identifikojë dy autorët, njëri prej tyre tashmë i arrestuar. 42-vjeçari Kleanth Bylyku allias Armando Gega, po udhëtonte me një mjet tip Audi të bardhë kur Forcat Operacionale ndërhynë për ta vënë në pranga. Me makina civile rrethuan mjetin e tij, e nxjerrin nga makina, e shtrijnë në tokë dhe më pas i vendosin prangat, siç shihet edhe në pamje.
Bylyku nuk është një emër i panjohur për blutë e Vlorës pasi rezulton i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Gjykata e Vlorës ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, i dyshuar për veprën penale “vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim”. Bëhet me dije se Policia ka arritur të identifikojë edhe autorin e vrasjes.
Bëhet fjalë për një shtetas rumun, i cili ka pasur rolin e ekzekutorit. Pas vrasjes, ai ka arritur të largohet nga Shqipëria. Bylyku ka pasur rolin e ndihmësit në vrasje, ndërsa qitësi ka qenë rumuni. Të njëjtat burime thanë se për të vënë në jetë planin e ekzekutimit të Hoxhajt më 27 prill, autorët kanë përdorur 3 automjete.
“Në vijim të hetimeve, bazuar mbi provat e siguruara nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 30.07.2025, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin K. B., alias A. G., 42 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar si bashkautor në kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e datës 27.04.2025, rreth orës 06:20, pranë Poliklinikës së qytetit të Vlorës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. H., 58 vjeç”, njoftoi Policia e Vlorës.
Arrestimi i Mehmetajt
Për vrasjen e Hoxhajt, më datë 30 prill u arrestua edhe Eris Mehmetaj, i akuzuar si bashkëpunëtor. Mehmetaj dyshohet se ka siguruar automjetin me të cilin autori ka lëvizur në Vlorë ditën e ngjarjes. Po kështu ai ka ndërruar targat për të shmangur identifikimin nga policia.
Ai ishte mik i Roan Brahimit, i ekzekutuar në Greqi, ndërsa në rrjetet sociale shfaqte jetën luksoze në Dubai. Grupi hetimor dyshon se ekzekutimi i 58-vjeçarit u porosit nga Dubai, ku strehohen grupet kriminale.
Ka dyshime se viktima mund të ketë qenë informator për grupin kundërshtar. Më herët është publikuar videon e autorit teksa largohet nga vendi i ngjarjes pas vrasjes. Me maskë dhe kapele, ai i zë pritë Hoxhajt sapo del nga banesa dhe e qëllon me 4 plumba pistolete. Vrasësi, i dyshuar me pagesë, arriti të humbasë gjurmët duke u larguar në shtegun me bimësi, drejt kodrës “Kuzum Baba”.