Prokuroria e Posaçme mbyll hetimet dhe dërgon për proces në GJKKO dosjen në ngarkim të 6 personave të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal, mes tyre edhe atentati i dështuar ndaj Durim Bami dhe Ervin Kodrës më 2020. Pushon dhe hetimet për 2 të dyshuarit e akuzuar si bashkëautorë të vrasjes së Shkëlzen Kastratit më 2021 në Fier, u ngatërrua objektivi.
Prokuroria e Posaçme mbyll hetimet dhe dërgon për proces në GJKKO dosjen në ngarkim të 6 personave të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal për vepra të rënda, mes tyre edhe atentati i dështuar ndaj Durim Bami dhe Ervin Kodrës pesë vite më parë dhe vrasjen e Hamza Terziut apo të Shkëlzen Kastratit në Fier më 2021.
Mes të akuzuarve është edhe Armando Ndreca, vëllai i deputetit të PS, Eduart Ndreca, i akuzuar për stanin me drogë dhe kushëriri i tij Elvis Ndreca, që doli në përgjimet e SKY ECC si i implikuar ne atentatin e dështuar ndaj Bamit.
Të pandehurit janë Albert Zaja, Edison Muçeku, i ekstraduar nga Anglia, Armando Ndreca dhe Elvis Ndreca, Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli, i ekstraduar nga Gjermania.
Për tentativën e vrasjes më 4 nëntor 2020 të Durim Bamit dhe Ervin Kodrës te Ura e Tapizës. Në muajt maj-korrik 2020, Albert Zaja dhe Edison Muçeku akuzohen se siguruan mjetet për vrasjen e Hamza Terziu. Në muajt korrik–gusht 2020, Elvis Ndreca akuzohet se siguroi mjetet për vrasjen e Durim Bamit dhe në tetor 2020, Armando Ndreca akuzohet se organizoi dhe financoi grupin që prodhoi dhe shiti 243 kg kanabis në Lezhë.
Një tjetër ngjarje është ajo e 2020-2021, ku Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli u përfshinë në tregtinë e paligjshme të armëve dhe municioneve, duke i shitur edhe personave me precedent penal.
Gjithashtu SPAK njofton se ka pushuar çështjen ndaj dy personave të tjerë, Silvio Cara dhe Elmir Tufa, që ishin marrë të pandehur për ekzekutimin gabimisht të Shkëlzen Kastratit në Fier, më 1 shkurt 2021, në vend të Kelmend Kastratit. Pas hetimeve të thelluara dhe analizës së përgjimeve në SKY ECC nuk u provua se ata ishin autorë të përfshirë në krim. Për këtë krim ka akuzë dhe dënim ndaj Albert Zajës, me 19 vite burg, pjesë e dosjes së mësipërme dhe e grupit kriminal.
“Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, referuar bisedave të realizuara nga përdoruesit e SkyECC të zhvilluara mes anëtarëve të një grupi të strukturuar kriminal, ka dalë në pah organizimi i këtyre shtetasve me qëllim realizimin e vrasjes së shtetasit Kelmend Kastrati, por kanë lajthitur në objekt dhe kanë vrarë shtetasin Shkëlzen Kastrati”, thotë prokuroria.
Dhe në fund të kësaj dosje hetimore, kërkohet pushimi për rastin e dy personave:
“Nga hetimi nuk u arrit të provohej që të pandehurit Silvio (Roland) Cara dhe Elmir Tufa të ishin bashkëpunëtorë të këtij grupi të strukturuar kriminal dhe të kishin marrë pjesë në realizimin e veprave penale”, përfundon SPAK.