FLASH :

Dhuna që prodhojmë vetë

Nga Maksi Çami

Reagimi i televizioneve shqiptare dhe një pjese e opinionit publik në rrjetet sociale ndaj dhunës ndaj një kamarieri në Vlorë nuk është thjesht zemërim i momentit. Ai zbërthen një krizë shumë më të thellë një problem sistemik të shoqërisë shqiptare dhe dështimin e institucioneve sociale për të parandaluar e korrigjuar sjellje devijante.
Rasti i dhunës ndaj kamarierit nga një efektiv policie, pasuar nga hakmarrja fizike e pronarit dhe më tej solidariteti në masë i komentuesve që mbështetën këtë akt, tregojnë se dhuna në Shqipëri është kthyer në mjet të pranueshëm për “drejtësi”. Ky legjitimim i dhunës nuk është i rastësishëm ai është pasojë direkte e narrativës që vetë shoqëria dhe mediat e kanë ndërtuar dhe ushqyer ndër vite.


Çfarë është me të vërtetë hipokrite në këto reagime publike, është fakti që mediat tradicionale dhe rrjetet sociale, që gjatë gjithë vitit promovojnë modelet më agresive dhe devijante të sjelljes si forma “suksesi”, ngrihen përkohësisht në alarm kur ndodh një akt dhune. Një ditë diskutohet me zell për rrezikun e modeleve të rrezikshme shoqërore, ndërkohë që gjithë kohës këto modele lavdërohen, promovohen dhe shpërblehen.


Mjafton të hedhim një sy në programet më të ndjekura në televizione apo platformat online: spektakle si “Big Brother”, “Përputhen”, “Love Island”, etj., promovojnë sjellje të dhunshme, agresive, cinike apo thjesht pa vlera. Në emër të shikueshmërisë dhe klikimeve, devijanca bëhet normë. Edhe humorit në emisione si “Portokalli” nuk i shpëton ky fenomen shpesh ai bazohet në stereotipe, tallje dhe dhunë verbale.


Ndërkohë, rrjetet sociale si TikTok, Instagram apo Facebook, janë kthyer në hapësira ku shpërblehen me “like”, komente dhe shpërndarje pikërisht ato sjellje që në thelb janë shqetësuese. Nuk është çudi që sipas matjeve të fundit, shqiptarët – jo vetëm të rinjtë, por edhe grupmoshat mbi 25 vjeç kalojnë mesatarisht 6-7 orë në ditë në rrjetet sociale. Dhe ajo që konsumojnë më shumë, janë skena dhune, grindje, poshtërime dhe spektakle të neveritura.
Në këtë atmosferë, televizioni tradicional nuk mbetet pas. Rreth 15 minutat e para të çdo edicioni lajmesh janë të mbushura me lajme të kronikës së zezë: vrasje, plagosje, grabitje, trafik droge. Kaq shumë saqë krimi na duket i zakonshëm dhe mungesa e tij është një përjashtim. Ndodh ajo që në teorinë e komunikimit njihet si “mpirja e ndjeshmërisë ndaj realitetit”.


Nga një monitorim i përmbajtjes së emisioneve të televizioneve kryesore, del se mbi 40% e tyre trajtojnë krimin dhe fenomene të lidhura me të. Në vend që të dëgjojmë ekspertë të fushave si ekonomia, arsimi apo psikologjia, në studio shfaqen juristë, gazetarë të kronikës dhe “ekspertë të krimit”. Dhe jo rrallë, edhe personazhe nga reality show-t, që sot janë bërë jo vetëm të ftuar, por edhe moderatorë të emisioneve.


E njëjta prirje është edhe në muzikë: në YouTube, 80% e videove të klikueshme janë këngë që promovojnë dhunë, arrogancë, krim, drogë apo degradim moral. Këto këngë nuk janë më periferi e shijeve janë bërë melodia e përditshmërisë sonë publike. Prandaj, përpara se të ngrihemi në revoltë apo të shprehim indinjatë për një rast të dhunshëm, duhet të pyesim veten: a kemi ndihmuar ne vetë në ndërtimin e kësaj kulture? A kemi inkurajuar apo heshtur para mediave që promovojnë devijancën si sukses? A kemi ngritur zërin për më shumë cilësi, etikë dhe përgjegjësi në komunikim?


Në vend që të normalizojmë dhunën përmes ekranit, duhet t’i rikthehemi promovimit të vlerave që shoqëritë kanë ndërtuar me mund për shekuj: dinjitetin njerëzor, respektin, meritokracinë, dialogun dhe përgjegjësinë. Dhe këtë nuk e bën dot vetëm një media. Kjo është një detyrë e gjithë shoqërisë.