FLASH :

Ankimohet tenderi 2.5 milionë euro për Pallatin e Sportit në Korçë – dyshime për parregullsi në vlerësim

Tenderi me vlerë 2.5 milionë euro për rikonstruksionin e Pallatit të Sportit “Tamara Nikolla” në Korçë, prokuruar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, është ankimuar nga kompania LIS Konstruksion për fazën e vlerësimit të ofertave. Komisioni i Prokurimit Publik ka pranuar shqyrtimin e çështjes, ndërsa fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “XHENGO” dhe “ERGI” sh.p.k me një ofertë prej 193 milionë lekësh. Në garë morën pjesë të paktën 22 kompani.

Projekti parashikon rikonstruksionin dhe shtimin me një kat të objektit ekzistues, duke respektuar elementët origjinalë të fasadës, si dhe përmirësimin e kushteve teknike sipas standardeve FIBA dhe FIVB për gara kombëtare dhe rajonale. Ankesa ngre dyshime për transparencën dhe barazinë në procesin e përzgjedhjes së fituesit.