Rrjeti televiziv amerikan CBS njoftoi se planifikon të përfundojë “The Late Show me Stephen Colbert” në maj 2026, duke përmendur arsye financiare.
Stephen Colbert u informua të mërkurën në mbrëmje, më 16 korrik, dhe ia njoftoi lajmin audiencës së studios të nesërmen. “Nuk është vetëm fundi i shfaqjes sonë, është fundi i ‘The Late Show’ në CBS. Unë nuk do të zëvendësohem. E gjithë kjo thjesht do të zhduket“, tha ai.
Qëndrueshmëria e emisioneve të bisedave të vona të natës ka qenë një temë kryesore diskutimi në industrinë e medias vitet e fundit, pasi shikueshmëria për emisione të tilla ka rënë vazhdimisht.
“The Tonight Show Starring Jimmy Fallon” dhe “Late Night with Seth Meyers” tani transmetohen vetëm katër herë në javë, dhe CBS nuk ka kërkuar një prezantues të ri për “Late Late Show” pas largimit të James Corden në vitin 2023. Por kompanitë janë gjithnjë e më të kujdesshme për kostot e larta të prodhimit të emisioneve.
Colbert mori drejtimin e shfaqjes në vitin 2015 dhe është vendosur si një nga kritikët më të zëshëm të Trump në televizionin amerikan. Vendimi për të anuluar programin përkon me negociatat e bashkimit midis Paramount, i cili zotëron CBS, dhe Skydance Media.
Në pritje të shitjes, Paramount pranoi t’i paguante Donald Trump 16 milionë dollarë për të zgjidhur një padi mbi montazhin e një interviste në 60 Minutes – një padi që shumë ekspertë ligjorë e kanë cilësuar si të pavlerë, por që qeveria amerikane e ka përdorur si levë për të vonuar shitjen.