Blegtoria shqiptare, ndonëse prej vitesh mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të ekonomisë rurale, është gjithnjë e më shumë viktimë e politikave të gabuara, mungesës së vizionit dhe, së fundmi, edhe e goditjeve direkte nga vetë qeveria. Të dhënat e INSTAT për vitin 2024, tregojnë jo vetëm rolin jetik që ka blegtoria në mbajtjen gjallë të ekonomisë së shumë familjeve shqiptare, por edhe një shpërndarje të pasur të prodhimit bujqësor nëpër qarqet e vendit. Megjithatë, kjo tablo mbresëlënëse bie në kontrast të thellë me realitetin e vështirë të fermerëve dhe blegtorëve, të cilët luftojnë çdo ditë për të mbijetuar, shpesh përballë shtetit dhe jo me ndihmën e tij.
Qarku i Fierit është lider absolut në prodhimin e qumështit në Shqipëri me 168,980 tonë në vitin 2024, nga të cilat mbi 156,000 tonë vijnë nga lopët, duke dëshmuar për një strukturë të konsoliduar të blegtorisë së gjedhit. Korça dhe Elbasani ndjekin me përkatësisht 108,631 dhe 74,135 tonë. Ndërkohë, në jug të vendit, si në Vlorë dhe Gjirokastër, vërehet një përqendrim më i madh në prodhimin e qumështit të deles dhe dhisë, që shpesh mbulon nevojat e brendshme për produkte të përpunuara si djathi dhe kosi artizanal.
Edhe në sektorin e mishit, Fier mbetet në krye me 26,014 tonë mish peshë e gjallë, ndjekur nga Korça dhe Elbasani. Strukturat janë të ndryshme: ndërsa Fieri përqendrohet në shpendë, Korça ka një prodhim të balancuar edhe nga delet, dhitë dhe gjedhët. Në veri, Lezha evidentohet për prodhimin e mishit të derrit.
Durrësi mban rekordin për prodhimin e vezëve mbi 287 milionë kokrra në vit, falë përqendrimit të disa pularive të mëdha industriale. Tirana ndjek me 575,400 shpendë, prej të cilëve rreth 500,000 janë pula për vezë, duke mbajtur një peshë të rëndësishme në furnizimin e tregut të brendshëm.
Në sektorin e mjaltit, Korça është lider me 908 tonë në vit, ndjekur nga Vlora dhe Elbasani. Interesant është fakti që Vlora ka numrin më të lartë të koshereve të regjistruara, një indikator i drejtpërdrejtë i një popullsie aktive bletësh dhe një komuniteti që vazhdon të investojë në këtë sektor me aspak mbështetje shtetërore.
Në vend që të mbështeten, këta fermerë, që sigurojnë mbi 80% të produkteve të freskëta bujqësore në tregjet shqiptare, po përballen me një tjetër sulm të drejtpërdrejtë: aksionin e fundit të Kryeministrit për të ndaluar apo kufizuar shitjen e produkteve bujqësore nga tregtarët e vegjël në rrugë apo tregje lokale. Këta janë të njëjtët njerëz që, me mundin e tyre, i dorëzohen mbijetesës në mungesë të çdo alternative tjetër punësimi. Në vend që të formalizohen me lehtësi e ndihmë, ata po kriminalizohen.
Kjo nuk është thjesht mungesë ndjeshmërie, është një akt politik i cili çon drejt shkatërrimit të të ardhurave të familjeve më të varfra të vendit. Dhe kur humbet mundësia për të mbajtur familjen, ikja bëhet opsioni i vetëm. Kështu, shpopullimi nuk është më thjesht pasojë e mungesës së mundësive, por rezultat i drejtpërdrejtë i vendimeve të dëmshme nga lart.
Blegtoria, në vend që të përbëjë një temë strategjike për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, po përkufizohet gjithnjë e më shumë si një mbijetesë e heshtur e njerëzve të braktisur. Dhe kur shteti vendos të luftojë më të dobëtit, nuk ka më vend për retorikë zhvillimi vetëm për heshtjen e largimit.
Prodhimi blegtoral në Shqipëri tregon qartazi potencialin dhe rëndësinë e këtij sektori. Por pa një politikë që mbështet realisht fermerin e vogël, pa ndihma direkte, pa akses në treg, dhe mbi të gjitha, pa respekt për jetesën e ndershme, çdo statistikë mbetet vetëm një numër në letër. Dhe çdo familje që largohet është një humbje që Shqipëria nuk mund ta përballojë më.