Këngëtarja dhe superylli botëror Rihanna u shfaq në tapetin e kuq të premierës së filmit të animuar “The Smurfs”, ku ajo i jep zërin personazhit Smurfette, duke tërhequr vëmendjen jo vetëm për rolin e saj të ri në film, por edhe për praninë e veçantë të dy djemve të saj, RZA dhe Riot, dhe barkun e rrumbullakosur të shtatzënisë së saj të tretë.
E shoqëruar nga të vegjlit në një nga paraqitjet më të ëmbla familjare të vitit, Rihanna u pa me një fustan ngjyrë kafe të ngushtë me dantella dhe një pallto të zezë prej lëkure, të kombinuar me bizhuteri diskrete që i theksonin hijeshinë e saj natyrale. Djemtë, të veshur me rroba të koordinuara dhe buzëqeshje të pafajshme, ishin yje të vegjël pranë saj, duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe ndjekësve në rrjete sociale.

“Mezi pres sonte. Do ta shohim filmin së bashku për herë të parë. Do ta shoh të plotë, kështu që është emocionuese,” u shpreh Rihanna për Extra gjatë eventit.
Kjo paraqitje publike vjen vetëm pak ditë pasi artistja 37-vjeçare u kthye nga Barbadosi, pas pjesëmarrjes në funeralin e babait të saj, Ronald Fenty, i cili ndërroi jetë në moshën 70-vjeçare pas një beteje me kancerin e pankreasit.

Rihanna dhe partneri i saj A$AP Rocky janë në një marrëdhënie që nga viti 2021 dhe janë tashmë prindër të dy djemve. Ajo konfirmoi shtatzëninë e saj të tretë gjatë paraqitjes madhështore në Met Gala në maj të këtij viti, dhe duket se familja e tyre po zgjerohet edhe më tej.
Ndërkohë, filmi “The Smurfs”, ku Rihanna debuton si aktore zëri për një projekt të animuar të madh, pritet të sjellë një valë të re popullariteti tek gjeneratat e reja të fansave të saj, tani jo vetëm për muzikën, por edhe për rolet e saj si nënë dhe aktore.