FLASH :

Çanta Birkin shitet për 10 milionë dollarë – fansat të bindur se është Kim Kardashian blerësja mistershme

Një çantë ikonike Birkin u shit për shifrën rekord prej 8.6 milionë euro (rreth 10 milionë dollarë) në një ankand online të mbajtur nga shtëpia prestigjioze Sotheby’s të enjten, më 10 korrik, duke u kthyer në çantën më të shtrenjtë të shitur ndonjëherë në historinë e ankandeve. Spekulimet shpërthyen në rrjet menjëherë pas shitjes, ku shumë ndjekës janë të bindur se Kim Kardashian është blerësja e saj.

Dy ditë pas ankandit, Kim postoi një video të gjeneruar me inteligjencë artificiale ku një version i saj thyen një kuti xhami që përmban çantën Birkin, me mbishkrimin “birKIM” – një lojë fjalësh mes emrit të saj dhe ikonës së modës. Më pas ndau mesazhe nga miq që e pyesnin drejtpërdrejt nëse ajo e kishte blerë çantën. Megjithatë, sipas Associated Press, çanta u ble nga një koleksionist privat në Japoni përmes përfaqësueses së Sotheby’s, Maiko Ichikawa. Në ankand morën pjesë ofertues nga e gjithë bota, përfshirë edhe emra të tjerë të njohur si Lauren Sanchez, bashkëshortja e Jeff Bezos. Identiteti i saktë i blerësit mbetet ende mister.