Kosova ka shpenzuar mbi 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për të mbajtur të ulëta çmimet e energjisë, por pjesa dërrmuese e kësaj ndihme nuk ka përfunduar te qytetarët më në nevojë.
Sipas një raporti të publikuar nga Atlas Institute dhe OECD për periudhën 2018–2023, Kosova ka ndarë 2.2 miliardë euro për subvencionimin e tarifave të energjisë, nga të cilat vetëm 9.2% e ndihmës shkoi për familjet më të varfra.
“Kur thonë që rryma tek ne është e lirë, dijeni që çmimin real të rrymës janë duke e pagu shtresat më të varfëra”, deklaroi Agron Demit nga Atlas Institute.
Subvencionim i barabartë, përfitime të pabarabarta
Analiza thekson se politika e tarifave të rregulluara, e njëjtë për të gjithë konsumatorët, ka favorizuar më së shumti familjet e pasura dhe bizneset, të cilët përfituan mbi 90% të subvencioneve, ndonëse kanë aftësi më të lartë për të përballuar koston reale të energjisë.
Nga totali i shpenzuar:
- 574 milionë euro kanë qenë mbështetje fiskale;
- 33 milionë euro janë ofruar në formë kredie.
Krahasimi rajonal: Kosova, më e ekspozuara ndaj kostos
Në krahasim me vendet e rajonit, Kosova ka ofruar mbështetjen më të madhe publike për energjinë si përqindje ndaj PBB-së:
Shteti | Subvencione të fshehura | Mbështetje direkte buxhetore |
---|---|---|
Kosova | 4.6% | 2.2% |
Serbia | 1.4% | 1.0% |
Maqedonia e Veriut | 2.4% | 0.6% |
Shqipëria | 2.2% | 0.6% |
Bosnja dhe Hercegovina | 2.2% | 0.1% |
Mali i Zi | 1.2% | 0.1% |
Ekspertët paralajmërojnë se një politikë e tillë thellon pabarazitë sociale dhe financiare, duke mos adresuar realisht nevojat e shtresave më të cenueshme të popullsisë. Në vend të ndihmës së synuar, është aplikuar një model subvencionimi i përgjithshëm, që ka sjellë më shumë përfitime për ata që mund të paguanin vetë.