Nga Maksi Çami
Ka momente kur shoqëritë e vogla bëhen të mëdha dhe Serbia sa po kalon një etapë të tillë. Dy vite më pare, në Serbi, një djalë 13-vjeçar vrau shokët e tij në shkollë. Një ditë më pas, një 21-vjeçar kreu një masakër tjetër në një fshat pranë Beogradit. Dhimbja kombëtare u kthye në revoltë. Mijëra qytetarë mbushën rrugët nën një thirrje të vetme: “Serbia kundër dhunës.” Këto marshime proteste, u shndërruan në tubimet më të mëdha qytetare që Serbia kishte parë prej vitesh, duke bashkuar dhjetëra mijëra njerëz pa dallime partiake në kërkim të përgjegjësisë dhe ndryshimit.
Protestat nuk ishin thirrje për pushtet, por për dinjitet. Njerëzit kërkuan dorëheqje ministrash dhe mbylljen e televizioneve që ushqejnë kulturën e dhunës e vulgaritetit. Presidenti Vuçiç i quajti huliganë. Ai organizoi mitingun e vet, me administratën publike të rreshtuar, flamuj kombëtarë dhe oratorë të importuar për të lavdëruar pushtetin. Por në fund, ishte frika e tij që doli në pah frika nga njerëzit që nuk mund t’i kontrollojë dot. Protestat e Beogradit treguan diçka themelore nuk duhet një lider i madh për të thënë të vërtetën. Mjafton të mos pranojmë më gënjeshtrat e vogla të përditshme. Serbët dolën pa parti, pa retorikë, vetëm me një të vërtetë që e ndjenin të gjithë: jeta e fëmijëve nuk ka çmim.
Shqiptarët mund të mësojnë shumë nga kjo. Se protesta nuk është teatër, as betejë për pushtet, por akt qytetar dinjiteti. Se kur kauza është e drejtë dhe mesazhi i qartë, nuk ka propagandë që e mbulon dot dhe se pushteti absolut dridhet jo nga fjalët e mëdha, por nga heshtja e një kombi që ngrihet dhe thotë: Mjaft. Protestat u mbështetën gjerësisht nga grupe të shumta shoqërore, përtej aktivistëve partiakë. Në radhët e protestuesve kishte prindër dhe mësues (të tronditur nga masakra në shkollë), studentë, punonjës të sektorit publik dhe privat, të rinj e pensionistë, banorë të qytetit dhe të ardhur nga rrethe të tjera, të gjithë të bashkuar në kauzën kundër dhunës. Madje, në ditën e parë të protestës, edhe Sindikata e Pavarur e Arsimtarëve organizoi një tubim homazh për viktimat, paralelisht me marshimin kryesor. Rrjetet sociale u përdorën gjerësisht për thirrjen e njerëzve në protesta dhe për shpërndarjen e pamjeve në kohë reale, duke rritur jehonën e organizimit oddhe pjesëmarrjen spontane. Me kalimin e ditëve, protestat morën hov dhe u shtrinë edhe jashtë Beogradit, në qytete si Novi Sadi, Nish, Kragujevac etj., shpesh të organizuara nga grupe lokale qytetarësh me mbështetjen e partive opozitare vendore. Në disa raste, në protesta iu bashkuan edhe sindikatat e fermerëve të cilët shfrytëzuan momentumin për të ngritur zërin e tyre ndaj politikave bujqësore, duke bllokuar rrugë deri sa qeveria pranoi pjesërisht kërkesat e tyre për subvencione. Këto shtresa të ndryshme demonstruan se protestat nuk ishin thjesht një mobilizim partiak, por një lëvizje gjithëpopullore e nxitur nga dhimbja dhe revolta e përbashkët.
Kërkesat kryesore përfshinin dorëheqjen e zyrtarëve kryesorë të rendit publik pasi këta zyrtarë simbolizonin dështimin institucional përballë kriminalitetit e dhunës, ndaj largimi i tyre shihej si hap i parë drejt llogaridhënies. Marrjen e masave kundër mediave që nxisin dhunë, një kërkesë qendrore ishte shkarkimi i anëtarëve të Autoritetit Rregullator të Mediave Elektronike (REM). Po ashtu, kërkohej mbyllja e tabloidëve sensacionalistë që publikojnë rregullisht lajme të rreme, gjuhë urrejtjeje e përmbajtje të dhunshme. Veçanërisht, zemërimi popullor u drejtua ndaj televizioneve private “Pink” dhe “Happy”, të cilat njihen për lidhjet e tyre me qeverinë dhe për transmetimin e programeve me përmbajtje vulgare, pasi në këto ekrane prej vitesh shfaqeshin reality-show degradues me skena agresive dhe personazhe me precedentë kriminalë
Diaspora serbe në vende të ndryshme organizoi gjithashtu tubime solidariteti në qytete si Londra, Nju Jorku, Sidnei etj., serbët e mërguar u mblodhën para ambasadave ose shesheve kryesore me pankarta “Serbia protiv nasilja”, duke treguar mbështetje për bashkatdhetarët e tyre dhe duke sensibilizuar opinionin botëror. Këto grumbullime, ndonëse simbolike në numër, e internacionalizuan kauzën dhe ushtruan presion që edhe mediat e huaja t’u kushtonin vëmendje zhvillimeve në Serbi. Nga ana tjetër, mbështetja publike e figurave të njohura (artistë, aktorë, sportistë) luajti rol në galvanizimin e opinionit. Një nga impaktet më afatmesme të protestave ishte se ato ndryshuan skenarin politik në Serbi në muajt pasues. Nën ethet e protestave dhe krizës së legjitimitetit, Vuçić u detyrua të pranojë thirrjet për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Protestat historike në Serbi ofrojnë disa mësime të vyera për shoqërinë shqiptare, sidomos ndërsa kjo e fundit përballet me sfida të ngjashme rreth qeverisjes së centralizuar dhe bjerrjes së demokracisë nën pushtetin e kryeministrit Edi Rama. Shqipëria, e cila prej vitesh vuan nga korrupsioni endemik, kapja e institucioneve dhe kufizimi i hapësirës demokratike, mund të frymëzohet dhe nxjerrë mësime nga përvoja e fqinjit verior. Një mësim themelor nga Serbia është se protestat më të fuqishme lindin kur qytetarët bashkohen rreth kauzave konkrete, duke kapërcyer ndasitë partiake. Në Serbi, tragjedia preku zemrat e të gjithëve pavarësisht bindjeve, prandaj opozita hapi rrugën por protestat u bënë popullore e gjithëpërfshirëse
Në Shqipëri, ku shpesh protestat lidhen ngushtë me partitë dhe polarizimin politik, publiku mund të mësojë se kauzat kombëtare si lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e demokracisë duhet të tejkalojnë flamujt partiakë. Vetëm kur qytetarët e zakonshëm jo thjesht militantët ndjejnë se protesta është e tyrja, ajo fiton fuqi të vërtetë. Në Shqipëri, shoqëria civile dhe individët e angazhuar mund të bashkohen me opozitën për kauza madhore, pa lejuar që protesta të “partizohet” dhe të humbasë besueshmërinë te publiku i gjerë.
Në Shqipëri shpesh ka apati ndaj protestave sepse kauzat shfaqen të përgjithshme pa prekur drejtpërdrejt jetën e përditshme të njerëzve. Mësimi është që shpërthimi qytetar vjen kur preket një tel i ndjeshëm social siç ishin në Serbi siguria e fëmijëve dhe drejtësia për viktimat. Protestat serbe treguan se ndyshimet e mëdha kërkojnë kohë dhe këmbëngulje. Një tubim i vetëm mund të mos mjaftojë për të tundur pushtetin, por tubime të përsëritura krijojnë një lëvizje. Në Shqipëri, protestat shpesh kanë qenë sporadike ose janë shuar shpejt pas një grumbullimi fillestar. Mësimi këtu është që qytetarët shqiptarë duhet të organizohen në mënyrë të vazhdueshme, duke ndërtuar mbi momentumin e çdo proteste në vend që ta lënë atë të venitet. Regjimet me prirje autoritare, si Vuçić në Serbi apo Rama në Shqipëri, mbështeten fort te kontrolli i narrativës publike për të ruajtur pushtetin. Në Serbi, protestuesit e kuptuan këtë dhe e bënë media propagandistike vetë objekt proteste p.sh. bojkoti i Pink TV, presioni mbi RTS që të raportonte, etj. Protestat serbe treguan se kur qytetarët ekspozojnë publikisht propagandën, ata forcojnë kauzën e tyre dhe minojnë besueshmërinë e pushtetit. Edhe në Shqipëri, një protestë e suksesshme duhet të shoqërohet me një fushatë informuese paralele që t’i kundërvihet versionit të qeverisë kundër censurës dhe manipulimit.
Një element frymëzues i protestave serbe ishte roli kyç i të rinjve dhe studentëve, sidomos në fazat e mëvonshme. Publiku i gjerë duhet të mbështesë dhe përfshihet në nismat e të rinjve për ndryshim, sepse ato shpesh janë të sinqerta dhe të çliruara nga hijet e së shkuarës. Në kontekstin e “autoritarizmit të Edi Ramës” ku opozita tradicionale është e dobësuar dhe institucionet janë nën kontroll të fortë qeveritar, zëri i pavarur i të rinjve, studentëve, artistëve e gazetarëve merr peshë edhe më të madhe. Protestat serbe treguan se kur populli i thjeshtë dhe elita intelektuale solidarizohen, ata mund të krijojnë një narrativë alternative të fuqishme kundër propagandës zyrtare.
Ndoshta mësimi më sublim nga Serbia është se shoqëritë munden ta kapërcejnë frikën kolektive dhe ndjenjën e pashpresës. Para protestave, shumë qytetarë serbë ndiheshin se asgjë s’mund ta sfidonte Vuçić-in; por ja që ndodhi. Në Shqipëri ekziston shpesh një skepticizëm (“s’bëhet ky vend”, “nuk rrëzohet Rama se kontrollon çdo gjë” etj.), i cili dekurajon veprimin. Shembulli serb frymëzon të kundërtën, asnjë pushtet s’është i plotfuqishëm kur përballet me popullin e vet të bashkuar. Në Shqipëri, mesazhi për publikun është që duhet besuar në forcën e veprimit qytetar dhe se fatalizmi vetëm sa i jep më shumë fuqi autokratit. Kur njerëzit e zakonshëm e humbasin frikën dhe ngrenë krye për dinjitetin e tyre, ndryshimi bëhet i mundur, qoftë edhe hap pas hapi.