Europa po përballet me një nga valët më të ashpra të të nxehtit të viteve të fundit, teksa temperaturat ekstreme, zjarret në natyrë dhe moti i çrregullt kanë shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha në disa vende të kontinentit.

Gjermani: breshër në mes të vapës 40°C
Gjermania pritej të regjistronte temperatura deri në 40°C këtë të mërkurë, ndërsa paralajmërimet për rrezik zjarresh në pyje dhe ndërprerje të udhëtimeve ishin shtuar. Megjithatë, pamje të publikuara nga mediat lokale treguan për një fenomen të rrallë: stuhi breshëri në rajonin e Liqenit të Konstancës, në jug të vendit, ku temperatura kishte kaluar 30°C. Në komunën Sipplingen, të martën, ranë kokrra breshëri deri në 5 cm të mëdha, duke kërkuar ndërhyrje me automjete të specializuara për të pastruar rrugët.
Francë: turiste amerikane, 10 vjeçe, vdes nga ataku kardiak në Versailles
Një tragjedi ndodhi në Francë, ku një vajzë 10-vjeçare amerikane humbi jetën pas një sulmi në zemër në oborrin e Pallatit të Versailles të martën në mbrëmje. Vajza, e cila kishte probleme të mëparshme shëndetësore, ra pa ndjenja nga vapa e skajshme. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve, ajo u shpall e vdekur brenda një ore. Autoritetet franceze pritet të hapin një hetim, ndërsa dy viktima të tjera u raportuan për shkak të goditjeve nga nxehtësia, sipas Ministres për Tranzicionin Ekologjik, Agnes Pannier-Runacher.


Franca po përjeton qershorin e dytë më të nxehtë që nga viti 1900, ndërsa 2,200 shkolla u mbyllën dhe Parisi shpalli alarm të kuq për vapë, duke pezulluar aktivitete publike dhe shkollore.


Spanjë: zjarre në Katalonjë dhe viktima nga neglizhenca
Në Katalonjë, zjarre të mëdha kanë përfshirë rreth 6,500 hektarë toka, kryesisht bujqësore. Dy persona humbën jetën dhe mbi 14,000 banorë u urdhëruan të qëndronin në shtëpi për shkak të tymit dhe përhapjes së flakëve. Edhe pse zjarri u vu nën kontroll të mërkurën, dëmet ishin të mëdha, përfshirë edhe djegien e disa shtëpive rurale.
Një tjetër tragjedi ndodhi në qytetin Valls, ku një fëmijë 2-vjeç, i lënë për orë të tëra brenda një makine nën diell, ndërroi jetë nga goditja e të nxehtit. Autoritetet dyshojnë për neglizhencë nga i ati, pasi temperaturat kishin arritur deri në 32°C në hije.


Gjermania përballet me zjarre dhe dëme infrastrukturore
Përveç nxehtësisë përvëluese dhe breshërit të pazakontë, zjarre pyjore shpërthyen edhe në malet Harz. Rreth 150 zjarrfikës u angazhuan për shuarjen e flakëve, ndërsa në rajone të ndryshme u raportuan çarje të asfaltit në autostrada dhe ulje të niveleve të ujit në lumenjtë, si pasojë e temperaturave ekstreme.
Itali: alarm i kuq në 18 qytete, dëme në bujqësi dhe energji
Italia, e goditur më herët nga përmbytje dhe zjarre, ka vendosur alarm të nivelit 3 në 18 qytete, përfshirë Romën, Firencën, Venecian, Gjenovën dhe Milanon. Temperaturat e larta kanë dëmtuar të mbjellat, duke sjellë ulje prodhimi me 10–15%, sipas Coldiretti Lombardy. Po ashtu, nxehtësia ka shkaktuar dëmtime në rrjetin elektrik, duke çuar në ndërprerje të energjisë në qytete si Bergamo dhe Firence.
Në Campobasso, zjarrfikësit u angazhuan në 14 zjarre të veçanta në një ditë, duke djegur më shumë se 90 hektarë sipërfaqe. Autoritetet në Sicili mbajtën në fuqi një paralajmërim për rrezik të lartë zjarri, ndërsa në disa rajone është ndaluar puna në natyrë gjatë orëve më të nxehta.

Britania dhe ndikimi ekonomik i valës së të nxehtit
Në Mbretërinë e Bashkuar, vala e të nxehtit kulmoi të martën me temperaturë 34.7°C në Londër. Sipas UKHSA, vala e të nxehtit rrit rrezikun për vdekje të parakohshme te të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Meteorologët raportuan se qershori i 2025 ishte më i nxehti në Angli dhe i dyti më i nxehti në historinë e Mbretërisë së Bashkuar.
Sipas një raporti të Allianz Research, vala e të nxehtit mund të ngadalësojë rritjen ekonomike në vitin 2025 me gjysmë përqindjeje në Europë, me ndikim më të madh në Spanjë, Itali, Greqi dhe Kinë, ku humbjet në PBB mund të arrijnë deri në 1%.

Dritë shprese nga Atlantiku
Meteorologët parashikojnë që nga dita e enjte disa rajone të Europës do të fillojnë të marrin freski dhe reshje shiu nga Atlantiku, duke ulur përkohësisht temperaturat ekstreme.

Megjithatë, vala aktuale e të nxehtit ka sjellë një paralajmërim të qartë për Europën: ndërsa ndryshimet klimatike thellohen, ekstremet e motit nuk janë më përjashtim, por po bëhen normë.