Shqipëria është pozicionuar në vendin e fundit ndër 37 shtete europiane për cilësinë e jetesës, sipas raportit më të fundit të platformës ndërkombëtare Numbeo për gjysmën e parë të vitit 2025. Me vetëm 104.1 pikë në total, vendi ynë mban vendin e 37-të, duke u renditur më keq edhe se Ukraina dhe Maqedonia e Veriut.
Ky renditje pasqyron një realitet të vështirë ekonomik dhe social për qytetarët shqiptarë, ku faktorët më problematikë janë fuqia e ulët blerëse, çmimet e larta të banesave në raport me të ardhurat dhe cilësia e dobët e shërbimeve shëndetësore.
Sipas Numbeo, Shqipëria renditet e fundit në Europë për fuqinë blerëse, me vetëm 46.3 pikë, çka do të thotë se të ardhurat reale nuk mjaftojnë për të përballuar kostot bazë të jetesës. Po ashtu, një familjeje shqiptare i duhen mesatarisht 16.3 vite të ardhurash për të blerë një apartament, ndërkohë që në Danimarkë apo Belgjikë duhen vetëm rreth 6 vite.
Sistemi i kujdesit shëndetësor gjithashtu vlerësohet si më i dobëti në kontinent, për shkak të mungesës së aksesit, kostove të larta dhe cilësisë së dobët të shërbimit. Shqipëria renditet gjithashtu ndër vendet më të ndotura dhe të ngarkuara për kohën e udhëtimit në Europë.
Në krahun tjetër, Luksemburgu, Holanda, Danimarka, Zvicra dhe Finlanda kryesojnë listën e cilësisë së jetesës, falë të ardhurave të larta, sistemeve të fuqishme të shëndetësisë, sigurisë publike dhe infrastrukturës moderne.
Ky raport i Numbeo, ndonëse bazohet në perceptimet e përdoruesve dhe jo në të dhëna zyrtare shtetërore, ofron një panoramë krahasuese të realitetit që përjetojnë qytetarët në jetën e përditshme. Për Shqipërinë, rezultati mbetet një kambanë alarmi për politikat publike dhe nevojën për reforma të thella ekonomike e sociale.