A mund të bëjë një robot që luan me zare edhe çajin tuaj apo të lajë enët pas darkës? Kjo është vizioni i kompanisë kineze AI² Robotics, e cila prezantoi robotin AlphaBot 2 në ekspozitën “Beyond Expo” në Makao. Ky humanoid, i aftë të kuptojë komandat verbale dhe të ndërveprojë me mjedisin përreth, përfaqëson një shembull të fuqishëm të asaj që quhet inteligjencë artificiale e mishëruar (embodied AI) — një teknologji që synon t’i bëjë makinat më intuitive, më të pavarura dhe më të dobishme në përditshmëri.
Në vend që të programohet për çdo lëvizje, AlphaBot mëson përmes shembujve – vetëm 5 deri në 10 herë mjaftojnë që ai të kuptojë dhe përsërisë një veprim. Aktualisht, AlphaBot përdoret në industri të ndryshme si shërbimet publike, bioteknologjia dhe fabrikat e automobilave ku lëviz materiale dhe etiketon produkte. Por vizioni i drejtuesit të AI² Robotics, Yandong Guo, shkon më tej: një ditë, ky robot do të dijë ku ndodhet qesja e çajit, si të derdhë ujin e ngrohtë dhe të përgatisë çajin — e më pas, të lajë edhe enët.
Megjithëse sot robotët shtëpiakë janë ende të papërshtatshëm për kushtet e shumicës së familjeve, për shkak të çmimit të lartë dhe nevojës për të mësuar mjedise të ndryshme, ekspertët besojnë se kjo do të ndryshojë. Deri në vitin 2050, Morgan Stanley parashikon se nëpër shtëpitë e botës do të përdoren rreth 80 milionë humanoidë, me çmime që do të bien ndjeshëm, në nivelin e një makine ekonomike. Kina, veçanërisht qyteti i Shenzhen-it, po e mbështet fuqishëm këtë zhvillim përmes investimeve dhe projekteve të mëdha shtetërore.
Megjithatë, pengesat nuk mungojnë. Siguria fizike dhe privatësia janë dy shqetësime kryesore – nga mundësia që një robot të bjerë aksidentalisht mbi një person, deri te përpunimi i të dhënave të ndjeshme nëpërmjet kamerave dhe mikrofonëve. Por sipas Guo, interesi i konsumatorëve kinezë është i madh dhe e ardhmja po afrohet me ritme të shpejta. Në tremujorin e tretë të këtij viti, AlphaBot do të fillojë të operojë në aeroporte në qytetet kryesore të Kinës, ndërsa brenda tre deri në pesë vjet, synon të jetë pjesë e qendrave për të moshuar.
“Ëndrra jonë,” thotë Guo, “është që çdo familje të ketë një robot.” Dhe ndërsa AlphaBot luan zare në panaire teknologjike, ai mund të jetë vetëm hapi i parë drejt këtij vizioni të përditshmërisë së automatizuar.