FLASH :

Turqia kundër “shtetit bektashi”: Ankaraja i kërkon zyrtarisht Ramës të tërhiqet

Turqia ka reaguar zyrtarisht kundër nismës së kryeministrit Edi Rama për krijimin e një strukture të veçantë fetare të quajtur “shteti bektashi”, duke e konsideruar atë një rrezik për balancat fetare dhe unitetin e shtetit shqiptar.

Qëndrimi i Ankarasë u bë i ditur përmes kreut të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit turk, Fuat Oktay, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë në krye të një delegacioni të lartë parlamentar.

Sipas deputetit opozitar Kreshnik Çollaku, Turqia i ka kërkuar qeverisë shqiptare të tërhiqet nga çdo ide për krijimin e një “republike bektashiane” brenda territorit shqiptar, si dhe të ndalë çdo përpjekje për institucionalizimin e këtij modeli që bie ndesh me karakterin laik të shtetit.

Ankaraja ka përsëritur edhe kërkesën e kahershme për përjashtimin e elementëve të lidhur me lëvizjen e Fetullah Gulen nga institucionet publike dhe jeta shoqërore në Shqipëri.

Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë ka shpërndarë një deklaratë zyrtare ku përmend vetëm temat e përgjithshme të takimit mes Oktay dhe ministren Elisa Spiropali, si bashkëpunimi parlamentar, marrëdhëniet dypalëshe, NATO, dhe perspektiva euroatlantike e Kosovës, pa përmendur fare përplasjen mbi çështjen bektashiane.

Sipas njoftimit, palët kanë diskutuar gjithashtu për rritjen e bashkëpunimit në arsim dhe shëndetësi, si dhe për thellimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Pavarësisht kësaj gjuhe diplomatike, mesazhi i Ankarasë është i qartë: Turqia nuk mbështet dhe kundërshton fort çdo iniciativë për krijimin e një entiteti fetar të organizuar si “shtet brenda shtetit” në Shqipëri.