FLASH :

Jorida Tabaku akuzon qeverinë për krizën ekonomike: Qytetarët po varfërohen!

Pas një fushate dinjitoze dhe një fitoreje të qartë në zgjedhjet e 11 majit, deputetja Jorida Tabaku vijon të mbajë fokusin te problematikat reale të qytetarëve dhe shtresës së mesme, duke u shfaqur si një zë i drejtpërdrejtë dhe i vendosur përballë keqqeverisjes. Në një postim të fundit në rrjetet sociale, Tabaku ka bërë një analizë të thelluar mbi situatën ekonomike në vend, të cilën e cilëson si “të rreme dhe të pambështetur në prodhim real”.

“Shqipëria po jeton një rritje ekonomike artificiale, të mbështetur vetëm nga rritja e punësimit në shtet, ndërkohë që bujqësia, industria dhe sektorët e tjerë janë në rënie. Kjo është një ekonomi që fryhet nga lart por shkretohet nga brenda,” shkruan Tabaku, duke e cilësuar situatën si pasojë direkte të qeverisjes socialiste dhe jo të ndonjë krize të jashtme.

Deputetja demokrate shton se rënia e konsumit nuk mund të fshihet pas shifrave të turizmit:
“Turistët nuk mund të kompensojnë largimin e qytetarëve tanë dhe varfërimin e familjeve shqiptare. Ekonomia nuk mbahet me pushues sezonalë, por me një popullsi që punon, prodhon dhe konsumon.”

Ajo rendit disa nga problemet kryesore që po e çojnë vendin drejt një kolapsi ekonomik:
– Rritje artificiale nga pagat në shtet
– Tkurrje e sektorëve realë
– Varësi nga turizmi
– Shpopullim dhe rënie e konsumit

Në të njëjtën kohë, Tabaku prezanton alternativën e saj për një ekonomi të ndershme dhe të qëndrueshme, të bazuar në mbështetjen e prodhimit vendas dhe rikthimin e dinjitetit të punës.
“Ne propozojmë një model ndryshe: një ekonomi që mbështet prodhimin vendas, investon në bujqësi dhe industri, lehtëson barrën për sipërmarrjen dhe rikthen dinjitetin e punës dhe konsumit për çdo familje shqiptare.”

Në përfundim, ajo e përmbledh krizën si një produkt të drejtpërdrejtë të qeverisjes së deritanishme:
“Kriza e xhepave nuk është rastësi është pasojë direkte e qeverisjes socialiste. Për 12 vite nuk u ndërtua ekonomi, por fasadë për propagandë.”
Ky reagim i Tabakut vjen në një moment kur gjithnjë e më shumë qytetarë ndihen të braktisur ekonomikisht një zë i fortë politik që nuk nguron të thotë të vërtetën, drejtpërdrejt.