Një aksident i rëndë u regjistrua rreth orës 10:30 të paradites së sotme në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku një automjet i drejtuar nga shtetasi E. K., rreth 41 vjeç, përplasi dy monopatina me të cilat po lëviznin tre të mitur.
Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar O.A., 11 vjeç, dhe E.S., 9 vjeç, të cilët ndodhen në gjendje shëndetësore të qëndrueshme, ndërsa J.N. është në gjendje të rëndë shëndetësore. Të tre fëmijët po mbahen nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor në spital.
Shtetasi E. K. është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Një grup i posaçëm hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Nga pamjet filmike të siguruara pas ngjarjes, dallohet qartë logoja e kompanisë “Pronatyra” në automjetin e përfshirë, dhe dyshohet se drejtuesi mund të jetë një nga përfaqësuesit e kësaj kompanie. Hetimet po vijojnë për të konfirmuar përkatësinë e automjetit dhe përgjegjësinë e drejtuesit në ngjarje.