Igli Tare e ka nisur vrullshëm te Milani, që po ndryshon për sezonin e ri. Dy emrat më të përfolur në merkato për mesfushën, pas Modriç që është çështje e kryer, janë Ardon Jashari dhe Granit Xhaka.
Tare ka konfirmuar në konferencën e tij për shtyp nga selia e Milanit, që Jashari dhe Xhaka janë alternativa. Vetë me trajnerin kanë vendosur profilet e nevojshme për skuadrën.
“Mesfusha do të jetë reparti ku do të ndërhyjmë më shumë. E diskutuam me trajnerin për profilet që kjo skuadër kërkon. Emrat që përmendët janë alternativa, lojtarë të shkëlqyer, por në fund, duhet të bëjmë zgjedhjen e duhur bazuar në çfarë kërkojmë. Besojmë se është e rëndësishme të rrisim nivelin e përgjithshëm të lojës së skuadrës”, u shpreh Tare ndër të tjera.
Milani ka mbushur arkat me shitjen e Reijnders dhe atë që pritet nga Teo Hernandez. Tashmë mbetet për t’u parë si do shpenzohen ato para.