FLASH :

Pasi të gjithë drejtorët e PS të Kadastrës Vlorë dolën hajdutë, Rama emëron ish-kreun e PD në këtë detyrë

Në një vend ku emërimet publike rrallë janë çështje merite dhe shpesh lojë pazari politik, emërimi i Genc Deromemajt në krye të Kadastrës së Vlorës është thjesht lëvizja më e fundit në teatrin absurd të politikës shqiptare. Me të gjithë drejtorët e mëparshëm të Partisë Socialiste që kanë dalë njëri pas tjetrit në hetime apo akuza për abuzime e korrupsion, Rama duket se ka vendosur të “eksperimentojë” me një figurë nga opozita – por jo një opozitar çfarëdo.

Deromemaj, ish-kreu i PD në Vlorë dhe një nga mbështetësit më të hershëm të “Foltores” së Berishës, është zgjedhja e re për të “qetësuar” institucionin më të zhurmshëm të jugut. Një inxhinier ndërtimi që ka kaluar nga kantieret private në fushatën elektorale, dhe më pas në organizimin e Kuvendit Kombëtar të PD-së, tanimë është vendosur në një nga zyrat më të kontestuara të shtetit. Ironikisht, pas gjithë akuzave për kapje të institucioneve nga “Rilindja”, tani është vetë Rama që i jep një “karrige qetësimi” një berishisti të betuar – si për të treguar se në Shqipëri, partia është vetëm një detaj: pushteti është qëllimi.

Ky emërim nuk është vetëm shenjë e dështimit të PS për të prodhuar figura të pastra, por edhe dëshmi se për Ramën, e vetmja “ideologji” është mbijetesa. Në fund, Vlora mbetet peng i një institucioni që vazhdon të kthehet në mjet pazari mes të fortëve të radhës – pavarësisht nëse vijnë me kartën rozë apo blu.