Rico Lewis është pezulluar me dy ndeshje të tjera nga FIFA, pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen hapëse të Manchester City në Kupën e Botës për Klube ndaj Wydad AC. 20-vjeçari u përjashtua në minutën e 88-të të fitores 2-0 në Philadelphia, pasi goditi pa dashje kundërshtarin Samuel Obeng në mjekër me këmbën e ngritur pas një ndërhyrjeje rrëshqitëse ku fitoi topin.
Pavarësisht se episodi u rishikua nga VAR dhe dënimi fillestar ishte vetëm një ndeshje pezullim – e cilat u vu në zbatim në fitoren 6-0 ndaj Al Ain në Atlanta – FIFA vendosi të shtojë masën ndëshkuese për shkak të “lojës së rrezikshme”. Lewis tani do të mungojë në ndeshjen vendimtare të grupit ndaj Juventusit si dhe në përballjen e fazës së 1/16.
Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, reagoi me zhgënjim të thellë ndaj vendimit. “Rico fitoi topin. Ai ishte i ulur në tokë. Nuk pati asnjë qëllim për të dëmtuar,” tha tekniku spanjoll. “Për mua kartoni i kuq ishte i panevojshëm. Por arbitri e pa ndryshe dhe, në fund të fundit, ai është shefi.”
Guardiola theksoi gjithashtu se arbitri brazilian Ramon Abatti, i pajisur me kamera personale gjatë ndeshjes, ndoshta nuk e kishte parë të gjithë incidentin. Pamjet nga “ref cam” e sugjeruan këtë. Megjithatë, as apeli i klubit nuk rezultoi i suksesshëm.
Manchester City tani do të përballet me Juventusin pa një nga lojtarët më të rinj dhe premtues në mbrojtje, në një turne ku çdo gabim mund të kushtojë eliminimin. Guardiola pranoi vendimin e FIFA-s, por la të kuptohet se do të jetë i kujdesshëm për mënyrën si gjykohen ndërhyrjet në ndeshjet e ardhshme: “Në këtë nivel, çdo detaj ndëshkohet rëndë.”