Një nga ekspertët më të njohur të fushës së sigurisë kibernetike në Shqipëri, Gent Progni, ka zbuluar detaje të reja që hedhin dyshime mbi natyrën e vërtetë të hakerimit të fundit ndaj faqes zyrtare të Bashkisë së Tiranës, i cili fillimisht u paraqit si një sulm nga Irani.
Progni ka bërë publike një gabim teknik të rëndë të hakerëve, të cilët pas publikimit të të dhënave, kanë harruar të fshijnë një listë me fjalëkalime në gjuhën shqipe, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi origjinën e vërtetë të sulmit dhe synimin e tij propagandistik.
Sipas tij, ky sulm është ndërtuar për të krijuar konfuzion dhe për të lënë përshtypjen e një sulmi të sponsorizuar nga jashtë, konkretisht nga Irani, por në fakt ka pasur lidhje të mundshme me aktorë të brendshëm që veprojnë për llogari të Izraelit, ose në minimumin e dyshimit, që kanë përdorur këtë narrativë për të maskuar qëllimet reale.
“Lista e fjalëkalimeve në shqip u publikua dhe u fshi menjëherë më pas, por ne arritëm ta kapnim dhe ta dokumentonim. Kjo është një gafë që zbërthen të gjithë simulimin,” – deklaroi Progni.
Zbulimi i tij është një tjetër sinjal alarmi për rritjen e luftës kibernetike hibride në Ballkan, ku shpesh hakerimet nuk janë vetëm akte teknologjike, por edhe mjet për të manipuluar opinionin publik dhe për të tensionuar situatën gjeopolitike.











