FLASH :

Avokati i familjes Ademaj: Kërkesa për ekzaminim psikiatrik e Naim Murselit është përpjekje për zvarritje dhe shmangie të drejtësisë

Avokati i familjes së Liridona Ademajt, Leutrim Syla, ka reaguar ashpër pas vendimit të gjykatës për të pranuar kërkesën e mbrojtjes për ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, të dyshuarit kryesor për vrasjen makabre të bashkëshortes së tij.

Në një deklaratë për “Dukagjini”, Syla e ka cilësuar këtë hap si një keqpërdorim procedural me synimin për të zvarritur procesin penal ose për të ulur përgjegjësinë penale të të akuzuarit. Ai theksoi se edhe pse vendimi është në përputhje me ligjin, kjo lëvizje është pjesë e një strategjie të njohur të mbrojtjes për të shmangur përgjegjësinë e plotë.

“Zakonisht, në raste të tilla konstatohet se i pandehuri nuk ka ndonjë çrregullim mendor – por kjo procedurë përdoret për të fituar kohë, për të ndikuar në opinion publik apo për të justifikuar një kërkesë për dënim më të lehtë,” – deklaroi Syla, duke paralajmëruar se familja Ademaj nuk do të lejojë që drejtësia të shtrembërohet nga manovra të tilla.

Ai shtoi se në të kaluarën ekzaminimet psikiatrike janë keqpërdorur edhe për të krijuar baza për arratisje apo për të zbutur dënimin, dhe se rasti Murseli përbën një rrezik të ngjashëm, duke qenë se ai përballet me burgim të përjetshëm.

Reagimi i avokatit vjen në një kohë kur çështja ka ndezur opinionin publik dhe kërkesa për drejtësi për Liridona Ademajn mbetet e fortë.