Një denoncim i mbërritur në redaksinë e Lajme Troç nga një qytetar nga Kukësi hedh dritë mbi një rast flagrant të ndërtimit pa leje në zemër të qytetit, ku – sipas denoncuesve – po ndërtohen dy kate shtesë pa asnjë dokumentacion ligjor, ndërkohë që institucionet kompetente nuk ndërhyjnë.
Sipas qytetarëve, ndërtimi është denoncuar më herët pranë policisë dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), por punimet vijojnë të qeta, edhe pse policia thuhet se e ka kaluar çështjen për ndjekje penale. Pse atëherë ndërtimi nuk ndalet?
Pista kryesore e dyshimit lidhet me faktin se personi që po ndërton pa leje ka djalin oficer të Policisë Gjyqësore në Kukës – Remzi Durakun. Ky fakt ngre pikëpyetje të mëdha mbi neutralitetin dhe zbatimin e ligjit nga ana e institucioneve të rendit dhe kontrollit të territorit.
Denoncuesit shprehen se tashmë ndërtimi ka filluar të bllokojë edhe trotuarin publik, duke shkelur të drejtat e qytetarëve për qarkullim të lirë. Ata po përgatiten të publikojnë edhe foto si prova, ndërsa thonë se janë drejtuar në të gjitha instancat – nga drejtori i IKMT-së lokale, te policia – por pa asnjë rezultat.
“Na kanë masakruar. I kemi marrë të gjithë, por ndërtimi vazhdon pa u shqetësuar. Tashmë nuk është thjesht një abuzim ndërtimor, por një sfidë publike ndaj ligjit dhe qytetarëve të këtij qyteti,” shprehen denoncuesit.
Rasti kërkon reagim të menjëhershëm nga Prokuroria, Ministria e Brendshme dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, për të garantuar barazi përpara ligjit dhe për të dhënë një mesazh të qartë: askush, pavarësisht lidhjeve familjare apo pozicionit, nuk është mbi ligjin.










