Një sulm kibernetik i paprecedentë goditi dje sistemet e Bashkisë Tiranë, duke paralizuar faqen zyrtare dhe të gjitha shërbimet online që përdoren nga mijëra qytetarë çdo ditë. Raportohet se edhe sinjalistika rrugore elektronike u godit, duke e kthyer kryeqytetin në një skenë kaotike, ku teknologjia u zhduk me një klikim të hakerëve. Sulmi u mor përsipër nga grupi i njohur iranian “Homeland Justice”, që i ka shpallur luftë kibernetike Shqipërisë për strehimin e opozitës iraniane në Manëz.
Por ndërsa sistemet bien dhe qytetarët përballen me pasojat, pyetja që shtrohet është: ku janë strukturat që paguhen për të na mbrojtur? Ku është AKSHI dhe ku është drejtoresha e tij, Mirlinda Karçanaj, që prej më shumë se një dekade drejton këtë agjenci si një zgjatim marketingu i qeverisë?
Të kujtojmë: kjo nuk është hera e parë. Pas sulmit ndaj e-Albania-s në vitin 2022, u dhanë premtime për investime në mbrojtje kibernetike, për rikonstruksion të sistemeve dhe për auditim të rrjeteve shtetërore. U fol për partneritete ndërkombëtare, për standarde NATO-je, për firewall-e dhe servera “të blinduar”. Dhe sot? Mjafton një video nga një grup anonim dhe sistemi shkon në kolaps.
Në çdo vend serioz, një sulm i tillë ndaj infrastrukturës digjitale të një bashkie do të konsiderohej kërcënim ndaj sigurisë kombëtare. Në Shqipëri, heshtja zyrtare është bërë praktikë, ndërsa paaftësia maskohet me ndonjë status të përgjithshëm për “punë në vazhdim”. Në vend që të informohet publiku se çfarë ka ndodhur, çfarë është kompromentuar dhe çfarë masa po merren, kemi një boshllëk institucional që bën të duket sikur sulmi ka ndodhur… në ndonjë bashki të Venezuelës, jo në zemër të Tiranës.
AKSHI nuk është një agjenci zbukurimi teknologjik. Është pikërisht institucioni që ka në dorë sigurinë digjitale të shtetit shqiptar. Dhe ky dështim nuk është i rastësishëm – është struktural. Është produkt i një sistemi që promovon besnikërinë politike mbi kompetencën teknike. Dhe siç po tregohet, kjo zgjedhje ka kosto reale për qytetarët, për shërbimet, për sigurinë dhe për sovranitetin digjital të vendit.
Nëse AKSHI nuk është në gjendje të mbrojë as një bashki, si mund t’u besohet të dhënat e 2.8 milionë qytetarëve shqiptarë? Dhe nëse Mirlinda Karçanaj nuk mban përgjegjësi pas çdo sulmi, atëherë kush do ta mbajë?
Në këtë histori nuk ka më vend për justifikime – ka vetëm një përfundim: sistemi ynë digjital është i pambrojtur, dhe ata që duhet ta mbrojnë janë të papërgatitur.







