Për herë të parë pas më shumë se 45 vitesh, familja Buss nuk do të jetë më pronarja shumicë e Los Angeles Lakers. Jeanie Buss dhe familja e saj kanë arritur një marrëveshje historike për të shitur pjesën më të madhe të aksioneve te Mark Walter, pronari i Los Angeles Dodgers dhe CEO i TWG Global, për një shumë rekord prej 10 miliardë dollarësh – shifra më e lartë ndonjëherë e paguar për një klub sportiv.
Walter, i cili deri më tani kishte një pjesëmarrje minoritare, merr kontrollin e plotë të një prej emrave më të fuqishëm në historinë e sportit. Megjithatë, Jeanie Buss do të vazhdojë për momentin të mbajë rolin e guvernatores së ekipit dhe të mbetet e përfshirë në vendimmarrje.
Lakers u blenë nga Jerry Buss në vitin 1979 për 67.5 milionë dollarë – një shumë që përfshinte gjithashtu Los Angeles Kings dhe arenën Forum. Nën drejtimin e tij, klubi fitoi 11 kampionate dhe u bë sinonim i yjeve si Magic Johnson, Kobe Bryant, Shaquille O’Neal dhe së fundmi LeBron James e Luka Dončić.
Me ardhjen e Walter në krye, tifozët e Lakers presin një epokë të re investimesh dhe ambiciesh, në prag të NBA Draft-it më 25-26 qershor dhe merkatos që hapet më 6 korrik. ndryshimi i pronësisë sinjalizon jo vetëm një fund epoke, por edhe fillimin e një kapitulli të ri për një nga klubet më legjendare në botën e basketbollit.







