Levian Goga, një emigrant shqiptar nga Berati që jeton prej 24 vitesh në Greqi, është bërë simbol i humanizmit dhe guximit pas një akti heroik që i shpëtoi jetën dy fëmijëve në lumin Arahto. Pa u menduar dy herë, ai u hodh në ujërat e ftohta për t’i nxjerrë fëmijët nga fundosja, duke rrezikuar jetën e tij dhe përfunduar në spital me probleme në frymëmarrje dhe lëndime fizike.
Autoritetet greke, përfshirë ministrin e Shëndetësisë Adonis Georgiadis, ndërhynë për trajtimin e tij urgjent në spitalin e Artës. Ndërkohë, për aktin e tij të jashtëzakonshëm, mediat greke raportojnë se Levian Goga do të nderohet me nënshtetësinë greke. “Nuk e mendoj veten si hero. Vetëm fëmijët kam në mendje”, tha ai me zë të dridhur për një portal grek, ndërsa rrëfeu se i hodhi në ujë pa e ditur as kush ishin ata fëmijë. Ai e përshkroi tmerrin e përpjekjes së tij me emocion, ndërsa theksoi: “Bëra atë që do bënte çdo prind.”
Leviani, i njohur si “Leo” në fshatin Neohori, është shembulli i njeriut të thjeshtë me zemër të madhe, që pa zhurmë, pa lavdi, pa kërkuar asgjë, vendos të shpëtojë jetë. Sot ai është një hero i vërtetë – përtej kufijve, përtej kombësisë.


