FLASH :

“Katastrofë në Alpet Zvicerane: Fshati Blatten fshihet nga harta, rrezik për përmbytje të reja nga liqeni i akullnajës”

Alarm në Alpet Zvicerane, fshati Blatten zhduket nga hartat, priten përmbytje shkatërrimtare nga liqeni i formuar nga rrëshqitja

Ujërat e përmbytjes në fshatin Blatten të Zvicrës, i shkatërruar tërësisht nga një ortek masiv akullnajor, kanë vazhduar të rriten me ritme alarmante – deri në 80 cm në orë gjatë natës – duke shtuar frikën për një valë të madhe që mund të përfshijë edhe fshatrat përreth.

Rreth 90% e Blatten u zhduk më 29 maj, pasi një pjesë e madhe e akullnajës Birch u shemb, duke sjellë me vete miliona tonë baltë, shkëmbinj dhe akull. Autoritetet lokale kanë shpallur gjendje emergjente dhe po monitorojnë vazhdimisht rrezikun e një përmbytjeje të madhe në luginën e Lonza-s, që është bllokuar nga rrënojat.

Uji po grumbullohet pas një “prize” të madhe të formuar nga materiali i shembur, ndërkohë që ekspertët paralajmërojnë se presioni ndaj kësaj barriere natyrore po rritet nga ora në orë. Nëse ajo çahet, një valë ujore e përmasave katastrofike mund të përmbytë luginën.

Dy fshatra të tjerë, Gampel dhe Steg, janë përgatitur për evakuim të menjëhershëm, ndërsa Kippel dhe Wiler janë evakuuar paraprakisht. Rreth 2,000 banorë janë paralajmëruar të largohen nga lugina dhe të kërkojnë strehim alternativ.

Sipas Raphael Mayoraz, zyrtar për menaxhimin e rreziqeve natyrore në kantonin Valais, “uji nga lumi Lonza nuk mund të rrjedhë poshtë, pasi është bllokuar nga një grumbullim gjigand rrënojash”. Ekspertët shtojnë se “skanari më i keq do ishte thyerja e këtij blloku dhe shpërthimi i një orteku të ri uji dhe materiali”.

Fshati Blatten, që numëronte rreth 300 banorë, ishte evakuuar para ngjarjes, por një person rezulton ende i zhdukur. Autoritetet kanë pezulluar kërkimet për shkak të rrezikut të rrëshqitjeve të tjera.

“E pamendueshmja ndodhi,” u shpreh presidenti i komunës Matthias Bellwald. “E kemi humbur fshatin tonë, por jo zemrën tonë. E dimë ku ndodheshin shtëpitë tona, dhe aty do të rindërtohen.”

Shkencëtarët e Universitetit të Cyrihut vlerësojnë se shkrirja e përshpejtuar e akullnajave dhe humbja e përmafrostit, të shkaktuara nga ngrohja globale, kanë luajtur një rol vendimtar në këtë katastrofë. Vetëm në dy vitet e fundit, akullnajat zvicerane kanë humbur 10% të vëllimit të tyre total – një humbje sa ajo mes viteve 1960–1990 të marra së bashku.

Pamje satelitore dhe helikopterë ushtarakë zbulojnë përmasat e tmerrshme të dëmit, me dhjetëra shtëpi të rrënuara, rrugë të bllokuara dhe ndërtesa të zhytura në rrënoja. Ushtria zvicerane ka angazhuar mjete të rënda dhe helikopterë për evakuim dhe përpjekje për të kanalizuar ujin, ndërsa një digë artificiale është zbrazur paraprakisht për të thithur sasinë e pritshme të ujit që pritet nga shkrirja e mëtejshme e borës.

Kjo ngjarje konsiderohet tashmë si katastrofa më e madhe natyrore në Alpet Zvicerane në dekada të tëra.