Një zbulim arkeologjik që mund të ndryshojë historinë e njohur të njerëzimit ka ndodhur në ujërat midis ishujve Java dhe Madura në Indonezi. Shkencëtarët kanë konfirmuar gjetjen e mbetjeve fosile të Homo erectus, një nga paraardhësit më të hershëm të njeriut, në fundin e Ngushticës së Madurës – një zonë që dikur ishte pjesë e një toke të zhytur tropikale të njohur si Sundaland.
Fosilet u zbuluan për herë të parë nga minatorët detarë që nxirrnin rërë në vitin 2011, por vetëm tani studiuesit kanë përcaktuar përfundimisht llojin dhe moshën e tyre. Dy fragmente kafkash, që datojnë mes 162 mijë dhe 119 mijë vite më parë, u identifikuan si të Homo erectus – specie me rëndësi të veçantë në evolucionin e njeriut modern, për shkak të ecjes së drejtë dhe strukturës më të avancuar të trupit.
Por gjetjet nuk ndalen me kaq: së bashku me fosilet njerëzore, studiuesit gjetën më shumë se 6 mijë fosile kafshësh, nga 36 specie të ndryshme – përfshirë buaj, drerë, hardhuca të mëdha dhe Dragoin e Komodorit. Një nga zbulimet më të habitshme ishte Stegodoni, një krijesë e ngjashme me elefantin që arrinte mbi katër metra lartësi dhe peshonte më shumë se 10 ton. Disa kocka kishin shenja prerjeje – dëshmi se Homo erectus përdorte mjete dhe teknika të avancuara për therjen dhe përpunimin e mishit.
Zona ku ndodhi ky zbulim është identifikuar si Lugina e lashtë e Lumit Solo, një sistem lumi tashmë i zhdukur që përshkonte një peizazh të hapur me savanë dhe burime të shumta uji. Studiuesit përdorën metodën e Lumineshencës së Stimuluar Optike (OSL) për të datuar shtresat e sedimenteve dhe për të rindërtuar mjedisin e dikurshëm, që duket se ka qenë i përshtatshëm për jetesën njerëzore dhe për një faunë të pasur.
Ky zbulim hap një dritare të re mbi shpërndarjen gjeografike të Homo erectus dhe mund të ndryshojë mënyrën se si kuptojmë migrimet e hershme njerëzore në Azinë Juglindore. Gjithashtu, përforcon tezën se Sundaland nuk ishte vetëm një masë toke e zhdukur, por një qendër jetësore për njerëzit dhe kafshët para mijëra vitesh – një “botë e humbur” që po del sërish në dritë nga fundi i detit.