FLASH :

Pse shqiptarët besojnë kaq shumë te premtimet elektorale?

Nga Maksi Çami


Në çdo cikël zgjedhor, shqiptarët dalin në votime me një besim pothuajse ritual që “këtë herë do jetë ndryshe”. Nga podiumet e fushatave politike buçasin premtime për spitale falas, zero taksa, rritje pagash, ulje çmimesh, hekurudha që nuk ekzistojnë dhe autostrada drejt së ardhmes europiane. Dhe megjithëse historia e tranzicionit shqiptar është e mbushur me premtime të pambajtura, qytetarët ende besojnë. Përse? Ky shkrim nuk kërkon të tallet me besimin e popullit. Përkundrazi, do përpiqmi të kuptojmë pse ky besim mbetet i fortë, pse shqiptarët vazhdojnë të mbështesin me entuziazëm politikanë që shpesh ua kanë thyer besën, fjalën e dhënë dhe çfarë tregon kjo për marrëdhënien mes popullit dhe politikës në Shqipëri.
Në Shqipëri, turma elektorale është gjithmonë në kërkim të shpëtimtarit një lider që premton me zë të fortë, me emocion, me siguri absolute.

Kjo nevojë për siguri, në një shoqëri të paqëndrueshme ekonomikisht e politikisht, krijon një psikologji kolektive ku premtimi zëvendëson të vërtetën, dhe zëri i fortë zëvendëson provën. Ky lloj besimi nuk është shenjë naiviteti, por shenjë e një shoqërie që ka nevojë për shpresë. Sa më të varfër të ndihen qytetarët në mundësi, aq më të pasur bëhen në besim. Politikanët premtojnë sepse premtimi shet. Shqiptarët besojnë sepse nuk kanë ç’të blejnë tjetër gjë.


Studiuesja e shkencave politike, Elin Naurin vëren në përgjithësi se: “Premtimet elektorale nuk janë mashtrime të pista, por një formë e komunikimit demokratik. Ato u tregojnë qytetarëve prioritetet e partive, dhe japin mundësinë për të gjykuar qeverisjen.” Por ajo që ndodh në Shqipëri është një version i përmbysur i kësaj teorie. Në vend që premtimet të jenë një pasqyrë e politikave të mundshme, ato janë shfaqje, spektakël, teatër emocional. Në vend që qytetarët të gjykojnë sipas realitetit, ata gjykojnë sipas mënyrës se si ndihen. Të padëgjuar, të papërfaqësuar, të lënë pas dore, dhe në këtë boshllëk emocional futet premtimi si qetësues shoqëror. Qytetarët shqiptarë nuk i besojnë verbërisht politikanëve ata i besojnë premtimeve si akt besimi ndaj një ideje, ndaj një mundësie për ndryshim. Edhe kur e dinë se mund të zhgënjehen, preferojnë të jetojnë me iluzionin sesa me zbrazëtinë. Dhe ky nuk është faj, është një mekanizëm mbijetese.


Në një analizë të thellë të perceptimeve qytetare, Naurin shpjegon: “Shumë qytetarë nuk ndjekin në mënyrë sistematike se çfarë është premtuar dhe çfarë është përmbushur. Shumë prej tyre nuk i mbajnë mend premtimet me saktësi, por i bazojnë gjykimet e tyre mbi ndjesinë e përgjithshme për realitetin politik.” Në Shqipëri, kjo ndjesi është e çoroditur dhe e shpërqendruar nga mbijetesa e përditshme. Askush nuk ka kohë të kontrollojë programet qeveritare kur fatura e dritave është më e lartë se rroga. Dhe kështu, çdo cikël zgjedhor bëhet një tabelë e pastër ku mund të shkruhet gjithçka nga e para. Kujtesa kolektive është e shkurtër. Media është e kapur. Shifrat janë relativizuar. Në këtë realitet, premtimi funksionon si mekanizëm i “reset”-it të përhershëm: zhgënjimi i djeshëm harrohet, ndërsa premtimi i ri bëhet spiranca e radhës për shpresë.


Premtimi është shfaqje, dhe shqiptarët duan të besojnë në shfaqje. Fushata elektorale në Shqipëri është më afër një spektakli pop-kulture sesa një gare politike. Spote që bërtasin, ngjyra që verbojnë, slogane që mbeten në gojë si refren. Politika shqiptare ka kthyer premtimin në produktin kryesor të tregut zgjedhor. Dhe kur premtimi bëhet spektakël, votuesi nuk është më qytetar kritik, por spektator që përjeton emocionin e një show. Në këtë logjikë, fakti nëse një premtim realizohet apo jo bëhet dytësor. Rëndësi ka efekti i menjëhershëm emocional. Dhe në një vend ku jeta është e vështirë, emocioni është më i vlefshëm se analiza.


Çfarë do të ndodhë nëse shqiptarët fillojnë të mos besojnë më? Do të ndodhë kriza më e rrezikshme për demokracinë: apatia. Nëse premtimi nuk funksionon më si magnet për votën, qytetarët mund të tërhiqen nga procesi demokratik. Ata nuk do të kërkojnë më llogari, sepse nuk do të presin më asgjë. Dhe kjo është humbja përfundimtare e një shoqërie jo kur ajo ngrihet kundër pushtetit, por kur i kthen shpinën atij. Shqiptarët besojnë ende në premtimet elektorale jo sepse janë naivë, por sepse janë të etur për shpresë, drejtësi dhe dinjitet. Ata vazhdojnë të besojnë sepse nuk janë mësuar ende të kërkojnë llogari. Dhe nuk kërkojnë llogari sepse nuk u është mësuar si.


Në fund të fundit, problemi nuk është te premtimi vetë, por te mungesa e mekanizmave për ta matur dhe për ta ndëshkuar kur ai nuk mbahet. Premtimi është një instrument i fuqishëm demokratik, por vetëm kur qytetarët kanë mundësi ta vlerësojnë dhe të kërkojnë llogari. Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë premtime. Ka nevojë për më shumë kujtesë. Më shumë transparencë. Më shumë shpresë që mbështetet te realiteti, jo te iluzioni. Vetëm atëherë, premtimi nuk do të jetë më një fjalë e bukur që fluturon, por një kontratë e shkruar mes qytetarit dhe qeverisë, qe kjo kontratë më në fund të ketë vlerë.