Nga Richard Nephew | Foreign Affairs
Pasi e kishte shkatërruar personalisht marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, Donald Trump është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë me një mision të ri: të negociojë një marrëveshje të re me Iranin. Për shumëkënd, kjo duket ironike – një kthesë e papritur nga një president që e braktisi JCPOA-n me premtimin se do të ndëshkonte Teheranin. Por logjika politike e Trump kërkon një sukses ndërkombëtar dhe një tjetër “marrëveshje të madhe” që do të mbajë emrin e tij. Nga ana tjetër, Irani i dobësuar ekonomikisht dhe me rrjetin e tij të përfaqësuesve rajonalë të gjymtuar nga goditjet izraelite, kërkon lehtësime ekonomike dhe një pauzë strategjike.
Një marrëveshje nga pozita të vështira
Sipas Richard Nephew, një negociator i lartë amerikan për Iranin gjatë administratës Biden, përpjekjet aktuale për një marrëveshje janë serioze dhe kanë prodhuar struktura të mundshme, por problemet thelbësore mbeten: SHBA-të kërkojnë transparencë dhe kufizime të rrepta për pasurimin e uraniumit, ndërsa Irani kërkon garanci se marrëveshja nuk do të zhbëhet sërish nga një president i ardhshëm amerikan. Në këtë pikë, kujtimi i tërheqjes së papritur të Trump nga JCPOA-ja në vitin 2018 e ka bërë Teheranin jashtëzakonisht skeptik.
Për një marrëveshje që të funksionojë, Nephew argumenton se duhet rikthyer inspektimi i thelluar ndërkombëtar nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), jo vetëm në objektet e deklaruara, por edhe në ato të dyshuara. Nëse Irani nuk pranon standardet e Protokollit Shtesë të IAEA-s, atëherë SHBA-të duhet të tërhiqen.
Kufizime teknike dhe koncesione të ndërsjella
Përveç inspektimeve, marrëveshja duhet të përfshijë deklarime të detajuara të centrifugave dhe të pajisjeve që mund të përdoren për zhvillim të armëve bërthamore. Që nga viti 2018, Irani ka zhvilluar centrifuga më të sofistikuara dhe ka reduktuar ndjeshëm kohën e nevojshme për të ndërtuar një armë bërthamore. Rrjedhimisht, çdo marrëveshje duhet të shkojë përtej kufizimeve të 2015-ës dhe të adresojë drejtpërdrejt kapacitetet për armatim.
Nga ana tjetër, SHBA-të duhet të ofrojnë një paketë lehtësimesh ekonomike, të lidhura në mënyrë proporcionale me përmbushjen e kushteve nga Irani. Këto lehtësime mund të përfshijnë heqjen e sanksioneve për sektorët industrialë dhe energjinë civile, por jo për sektorët ushtarakë apo për Gardën Revolucionare Iraniane. Një strukturë e tillë “me shkallë” do t’i japë Iranit një arsye për të qëndruar në marrëveshje dhe SHBA-ve një mjet për të reaguar në rast shkeljeje.
Rreziku i heshtur dhe pragmatizmi i nevojshëm
Nephew paralajmëron se edhe një marrëveshje ideale nuk mund ta eliminojë rrezikun. Edhe nëse Irani pranon inspektime dhe kufizime, kapacitetet e tij për ndërtimin e armës bërthamore nuk mund të fshihen plotësisht. Megjithatë, mungesa e një marrëveshjeje është edhe më e rrezikshme: çdo përpjekje për sulm ushtarak mbi objektet bërthamore iraniane mund të çojë në një përshkallëzim rajonal të pakontrollueshëm.
Trump, në mënyrë paradoksale, ka një mundësi unike për ta mbyllur këtë dosje në mënyrë diplomatike. Me mbështetjen e partisë së tij dhe me reputacionin e një negociatori të “pamëshirshëm”, ai ka lirinë politike për të bërë lëshime që as Obama dhe as Biden nuk mundën. Nëse e sheh këtë si një mundësi për ta përmbushur më në fund premtimin e tij për një marrëveshje “më të mirë se JCPOA-ja”, ai mund të arrijë diçka që do të kishte ndikim real në sigurinë globale.